A lindi puthja franceze në Francë?

Qeniet njerëzore kënaqen me një varg sjelljesh afektive, duke përfshirë përqafimet, puthjet dhe shtrëngimet e duarve. Por një nga gjestet më kurioze është e ashtuquajtura “puthje franceze”, ku takohet gjuha e dy njerëzve, me sa duket me qëllimin e stimulimit seksual. Puthja franceze është një shprehje e mirë-njohur e dashurisë në shumë kultura të botës, por personi i parë që e ka provuar atë duhet të ketë me siguri qenë mjaft i guximshëm. Por kush qe ai?

Referencat për puthjen me gojë të hapur, shfaqen në një numër tekstesh të lashta, me përmendjen më të hershme në gjuhën sanskrite rreth vitit 1500 Para Krishtit. Në tekstin  e famshëm “Kama Sutra” të shekullit III Para krishtit, vendet e trupit të caktuara për t’u puthur përfshinin buzët dhe pjesën e brendshme të gojës, duke sugjeruar se puthja me gjuhë ishte duke u praktikuar në Indinë e asaj kohe. 

Një hipotezë për evoluimin e puthjes me gjuhë, është se kjo ka ndodhur si pasojë e natyrshme e të ushqyerit me gji të pasardhësve tek popullatat e gjitarëve. Megjithatë, kjo nuk shpjegon se pse kjo praktikë u zbatua në disa shoqëri njerëzore, dhe jo të tjerat. Ekzistojnë shumë raste kur komunitete të ndryshme në botë, nuk kishin dëgjuar kurrë për puthjen me gjuhë para kontaktit me evropianët – dhe qenë tejet të neveritur nga sugjerimi për përdorimin e saj.

Për praktikën e përhapur të puthjes në Evropë, ne mund të falënderojmë romakët, të cilët e përshkruanin puthjen në tri forma:osculum (puthje miqësore në faqe), basium (puthje shumë erotike në buzë) dhe savium (puthja më pasionante në gojë). Në shoqërinë romake, vendi dhe mënyra sesi puthnin dikë, qe një tregues i rëndësishëm i statusit social.

Termi “puthje franceze” ka të ngjarë të jetë shpikur nga ushtarakët amerikanë dhe britanikë në Francë gjatë Luftës së Parë Botërore, të cilët vunë re se gratë franceze ishin më të hapura për të përdorur teknikën erotike të puthjes, se sa homologet e tyre amerikane. Kështu, ndërsa francezët qartazi nuk qenë se njerëzit e parë që e praktikonin puthjen franceze, është e drejtë që atyre tu njihet kjo meritë, për shkak të entuziazmit dashuror të të dashurave franceze një shekull më parë.

Është interesant fakti, që deri para pak kohësh francezët nuk kishin ndonjë fjalë specifike për këtë lloj puthje. Folja ‘galocher’, e përcaktuar si “puthje me gjuhë”, iu shtua fjalorit francez ‘Le Petit Robert’ vetëm në 2014. Në ditët e sotme, puthja franceze është kaq popullore sa që një ekip i studiuesve japonezë ka shpikur së fundmi një makineri të puthjeve franceze, në të cilën çiftet që për arsye të ndryshme gjenden larg njëri-tjetrit, të shkëmbejnë puthjen e famshme nëpërmjet pajisjeve që funksionojnë përmes një kompjuteri. / bota.al

SHKARKO APP