Administrata Biden heq dorë nga sanksionet ndaj kompanisë Nord Stream 2 të Rusisë

Administrata e Presidentit Biden do të heqë dorë nga sanksionet mbi kompaninë që qëndron pas tubacionit Nord Stream 2 të Rusisë në Evropë dhe shefin ekzekutiv të saj, tha të mërkurën një burim në Uashington që ka njohuri me planet dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, që do të dorëzohet në Kongres qysh të mërkurën, arrin në përfundimin se Nord Stream 2 AG dhe drejtori ekzekutiv i saj Matthias Warnig, një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin, janë angazhuar në një veprimtari të sanksionueshme, por se është në interesin kombëtar të SHBA të heqin dorë nga sanksionet, tha burimi i agjensisë së lajmeve Reuters.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se administrata amerikane kishte hequr dorë nga sanksionet për këto dy palë por gjithashtu edhe mbi sanksione që kishte vendosur ndaj subjekteve ruse dhe anijeve të lidhura me tubacionin Nord Stream 2.

“Ne e shohim këtë si një hap konstruktiv, të cilin jemi të lumtur ta diskutojmë më tej me partnerët tanë në Uashington,” u tha ministri Maas gazetarëve, duke shtuar se administrata e Presidentit Biden nuk kishte bërë asnjë premtim përtej heqjes dorë nga sanksionet.

Administrata e Presidentit Demokrat Joe Biden ende kundërshton tubacionin Nord Stream 2 por e pa të arsyeshme të dërgonte një sinjal në lidhje me angazhimin e saj strategjik për rindërtimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, të cilat u dëmtuan shumë gjatë administratës së ish-Presidentit Republikan Donald Trump, tha burimi nga Uashingtoni.

Kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom dhe partnerët e saj perëndimorë po garojnë për të përfunduar linjën për të çuar gazin rus në Evropë përmes Gjermanisë, nën Detin Baltik. Projekti, tani rreth 95% i përfunduar, do të anashkalonte Ukrainën, duke e privuar atë nga tarifat fitimprurëse të tranzitit dhe potencialisht duke minuar luftën e saj kundër agresionit rus.

Yuriy Vitrenko, drejtori i ri ekzekutiv i ndërmarrjes shtetërore energjetike të Ukrainës Naftogaz, tha se Nord Stream 2 është “projekti më i keq dhe më i rrezikshëm gjeopolitik” i Rusisë dhe se Ukraina do t’i kërkojë Uashingtonit të zbatojë plotësisht ligjet e saj dhe të vendosë sanksione për të ndaluar tubacionin.

Zyrtarët rusë të mërkurën sinjalizuan se masa mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të dobëta të Uashingtonit me Moskën. Por republikanët në Uashington kritikuan heqjen dorë nga sanksionet, që u njoftua së pari nga faqja Axios të martën.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me ministrin Maas të martën vonë, duke nënvizuar kundërshtimin e vazhdueshëm të Uashingtonit ndaj tubacionit, por gjithashtu nënvizoi nevojën që aleatët e NATO-s të punojnë së bashku për t’iu kundërvënë Rusisë, tha departamenti.

Vendimi i presidentit Biden për të hequr dorë nga sanksionet ndaj Nord Stream 2 AG dhe drejtuesit të tij ekzekutiv heq një pengesë në marrëdhëniet SHBA-Gjermani, dhe zyrtarët amerikanë shpresojnë që kjo të sigurojë një farë optimizmi për të thelluar bashkëpunimin për çështje më të gjera, përfshirë Kinën dhe Rusinë./Reuters/

SHKARKO APP