Airbus urdhëron ndryshime softuerike për A320, mund të ndërpriten fluturimet
Gjiganti evropian i hapësirës ajrore, Airbus, urdhëroi të premten një ndryshim të menjëhershëm të softuerit në një numër të konsiderueshëm të avionëve të familjes A320, pas një incidenti të ndodhur muajin e kaluar.
Airbus tha në një deklaratë se një incident i kohëve të fundit zbuloi se rrezatimi i fortë diellor mund të dëmtojë të dhënat kritike për funksionimin e kontrolleve të fluturimit.
Sipas agjencisë Reuters, incidenti që duket se e solli në vëmendje këtë problem përfshiu një fluturim të JetBlue nga Kankuni i Meksikës në Njuark të Nju Xhersit, më 30 tetor. Ai fluturim bëri një ulje emergjente në Tampa të Floridës dhe disa persona u dërguan në spital pas një problemi me kontrollin e fluturimit dhe një rënieje të papritur e të pakomanduar të lartësisë.
“Për pasojë, Airbus ka identifikuar një numër të konsiderueshëm të avionëve të familjes A320 aktualisht në shërbim, të cilët mund të preken”, tha kompania. “Airbus pranon se këto rekomandime do të çojnë në ndërprerje operacionale për pasagjerët dhe klientët”, shtoi deklarata.
Burime nga industria thanë se përmasat e operacionit pritet të shkaktojnë ndërprerje të konsiderueshme në të gjithë flotën e avionëve A320, e cila përfshin rreth 6,000 avionë. Qindra avionëve mund t’u duhet gjithashtu të ndryshojnë pajisjet harduerike, gjë që mund të zgjasë me javë të tëra.
Kjo ndërprerje vjen në një kohë kur miliona amerikanë udhëtojnë me linja ajrore për periudhën e festës së Falënderimeve.
KOHA JONË SONDAZH

