Akuzat dhe teoritë konspirative për tragjedinë në Bejrut
Kryeqyteti libanez u gjunjëzua pasditen e së martës. Shpërthimi ka pikëpyetje, akuza por edhe teori konspirative. Qeveria është shënjestra e parë e kritikave për neglizhencë dhe keqmenaxhim por Hezbollahu dhe Izraeli po përmenden gjithashtu si faktorë të mundshëm në ngjarjen që tronditi botën.
Bahaa Hariri, djali i ish-kryeministrit të vrarë Rafik Hariri dhe eksponent i rëndësishëm i opozitës, është i fundit që akuzon Hezbollahun për tragjedinë e ndodhur në port. Ai tha se të gjithë në qytet e dinin se Hezbollahu kontrollonte portin dhe aeroportin e Bejrutit dhe se ishte e paimagjinueshme që autoritetet nuk ishin në dijeni të sasisë vdekjeprurëse të nitratit të amonit të magazinuar atje.
”Si është e mundur që për 6 vite ky material shpërthyes u lejua të qëndronte në mes të një qyteti me 2 milionë banorë. Të gjithë e dinë se Hezbollahu kontrollon portin dhe magazinën ku depozitohej nitrati i amonit. Asgjë nuk ndodh atje pa dijeninë e tyre”.
Nuk kaloi shumë kohë para se rrjetet sociale të mbusheshin me video që sugjeronin se ai që po prezantohej si një aksident, ishte në fakt një sulm, me raketë ose armë bërthamore. E megjithatë ekspertët nxituan të theksonin se nëse do të kishte qenë kështu, shpërthimi do të ishte shoqëruar nga një dritë verbuese e bardhë dhe një valë nxehtësie që do të kishte djegur njerëzit.
U shfaqën gjithashtu fotografi të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu teksa i drejtohej Asamblesë së Përgjithshme të OKB duke treguar me gisht zonën e shpërthimit në Bejrut. Kjo u përdor nga disa si provë e përfshirjes së Izraelit. Por edhe pse imazhet janë të vërteta, ato janë nxjerrë jashtë konteksit. Netanjahu po tregon në fakt një tjetër lagje në qytetin e Bejrutit ku pretendon se Hezbollahu ka fshehur armë.
Pas shkëmbimit të sulmeve në kufi me militantët libanezë ditët e fundit, Izraeli ndryshoi kurs dhe u zotua të ndihmojë Libanin në këtë moment të vështirë. “Humanizmi ka përparësi ndaj çdo lloj konflikti”, ishte komenti i autoriteteve të Tel Avivit.