Akuzat për ”pengmarrje të emigrantëve”, Salvini përballë Senatit
Këtë të mërkurë, kryetari i partisë së ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, do të përballet me votimin e një aktakuze në Senat. Salvini, i cili është aktualisht duke udhëhequr sondazhet e opinioneve në vend, mund të dënohet për “pengmarrje emigrantësh”. Rasti daton në një incident të korrikut të shkuar, kur 131 emigrantë nuk u lejuan të zbarkonin në portin italian për rreth një javë, teksa janë mbajtur në anijen e rojeve bregdetare “Gregoretti”.
Asokohe ministër i brendshëm i Italisë, Salvini nxiste politika shtrënguese për emigrantët, teksa kërkonte mbylljen e porteve për ta. Përpara votimit të sotshëm, Salvini komentoi në Twitter “Nëse dal në gjyq, do iu shpjegoj gjyqtarëve që ishte detyra ime të mbroja qytetarët italianë dhe do të hyj i qetë në sallën dëgjimore duke përfaqësuar miliona italianë, pasi ajo që unë bëra ishte ajo çka ata dëshironin: Të kontrolloj se kush hyn e kush del në Itali, ashtu siç do të beja për shtëpinë time. Kur nuk ke bërë asgjë të gabuar, atëherë nuk ka asgjë që mund të tremb”.
Votimi, i cili nisi gjatë paradites së sotme në Romë, me shumë mundësi do të përfundojë me dënimin e liderit të Legës pasi ai nuk e ka më shumicën në Senat. Më herët gjatë janarit, Salvini këshilloi kolegët e tij të Legës në Senat që të votonin në favor të dënimit të tij, në një lëvizje që u pa si një përpjekje për të tërhequr mbështetje para zgjedhjeve rajonale në Emilja Romanja, të cilat më pas i humbi.