Alarm në Moskë, mijëra protestues kërkojnë zgjedhje të drejta
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Moskës të shtunën për të protestuar ndaj përjashtimit të disa kandidatëve të opozitës nga zgjedhjet e ardhshme të këshillit bashkiak të qytetit.
Protesta e Moskës, një nga më të mëdhatë në Rusi që kur Presidenti Vladimir Putin u rizgjodh në 2012, ishte vetëm një nga protestat që u mbajtën në vend.
Një organizatë joqeveritare që ndjek pjesëmarrësit në protestë, tha se gati 50,000 vetë ishin të pranishëm në tubimin e Moskës, shumë e më e lartë se 20, 000, shifra që bëri publike policia në Moskë.
Grupi i monitorimit të protestave OVD-Info njoftoi për një mori arrestimesh në Moskë dhe në demonstrata të tjera të opozitës në Shën Petersburg dhe Roston-mbi-Don.
Policia arrestoi politikanen ruse të opozitës Lyubov Sobol të shtunën në Moskë në zyrën e saj në Moskë ndërsa po informonte përkrahësit e saj në mediat sociale para se të fillonte protesta.
Në një video postuar në llogarinë e saj në Twitter, shfaqeshin forca policie me uniforma të ndërhyrjes së shpejtë duke kërkuar që gazetarët që ishin të pranishëm të mbështeteshin pas murit dhe të mos përdornin celularët.
Sobol, një aleate e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, e filmoi dhe publikoi ngjarjen teksa ndodhte. Ajo shprehej se do të kontaktonte avokatin e vet dhe do të vazhdonte aktivitetet e saj politike.
Arrestimi i saj ndodhi në prag të një proteste për të tretën fundjavë radhazi për këtë çështje. Mijëra njerëz u arrestuan në dy protestat e mëparshme që herë pas here u shoqëruan me dhunë./voa