Alarmi i BE-së: Kina dhe Rusia po keqpërdorin protestat në SHBA

Kina dhe Rusia kanë shtuar propagandën e bazuar në lajme të rreme duke ndikuar në protestat me sfond racor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Alarmi vjen nga njësia speciale e shërbimit të jashtëm të Komisionit Europian që monitoron informacionet false, të cilat synojnë të destabilizojnë vendet perëndimore.

Pas shumë muajsh propagande të përqendruar në pandeminë Covid-19, tashmë dezinformimi është përqëndruar në nxitjen e dhunës në SHBA pas vrasjes së George Floyd. Ekspertët europianë shkruajnë se Rusia përdor dy narrativa të ndryshme, një për qëllime të jashtme dhe një për të brendshme. Nga njëra anë po tenton të instrumentalizojë protestat për të krijuar përçarje dhe të ndikojë në zgjedhjet amerikane me përmbajtje të shpërndarë nga mediat e saj drejtëpërdrejtë nga SHBA.

Një nga lajmet e shumta false theksonte se manifestimet janë orkestruar nga Partia Demokrate. Nga ana tjetër, lulëzojnë informacionet pro Presidentit rus, Vladimir Putin. Në disa prej tyre theksohet se manifestuesit janë transportuar në Mineapolis nga një veteran i ushtrisë ukrainase.

SHKARKO APP