Alarmi nga “Reporterët pa Kufij”: Rusia po i vret mediat e pavarura

Reporterët pa Kufij paralajmëruan për “zhdukjen graduale” të mediave të pavarura në Rusi dhe i kërkuan presidentit Vladimir Putin që të shfuqizojë të ashtuquajturin Ligj për agjentët e huaj. Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, vëzhguesi i mediave me seli në Paris tha se “vetëm një pjesë e mediave të pavarura po arrijnë t’i mbijetojnë presionit në rritje nga autoritetet”.

Ai përmendi mbylljen e portalit të lajmeve VTimes dhe rrezikun për mediat e tjera, të tilla si Meduza. “Zhdukja graduale e mediave të pavarura nga peisazhi mediatik rus dhe përshpejtimi i këtij procesi kohëve të fundit janë gjëra shumë shqetësuese”, tha Jeanne Cavelier, shefe për Evropën lindore dhe Azinë qendrore te Reporterët pa Kufij.

“I bëjmë thirrje Vladimir Putinit dhe Ministrisë ruse të Drejtësisë që menjëherë të shfuqizojnë Ligjin e agjentëve të huaj, i cili po e minon pluralizmin e mediave, duke i shtypur mediat e pavarura dhe duke i vrarë ngadalë ato”, tha Cavelier. Ligji i agjentëve të huaj në Rusi është miratuar në vitin 2012 dhe është modifikuar në mënyrë të përsëritur. Ai kërkon që OJQ-të që marrin ndihmë të huaj dhe për të cilat Qeveria ruse mendon se janë të përfshira në veprimtari politike, të regjistrohen, ta identifikojnë veten si “agjente të huaja” dhe t’u nënshtrohen auditimeve.

Modifikimet e fundit prekin edhe mediat e financuara nga jashtë, përfshirë shërbime të shumta të Radios Evropa e Lirë dhe gazetarë individualë. Reporterët pa Kufij përmendën rastin e gazetarëve të shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, Lyudmila Savitskaya dhe Sergei Markelov, të cilët kanë qenë në mesin e të parëve që u është kërkuar të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

 

 

Organizata përmendi edhe ngrirjen e llogarive të Radios Evropa e Lirë në Rusi, për shkak të refuzimit për të respektuar ligjin. REL i ka cilësuar gjobat si “fushatë të kërcënimeve dhe frikësimeve – e sponsorizuar nga shteti”. Etiketimi si “agjentë të huaj” është interpretuar nga shumë aktivistë të shoqërisë civile si mjet i Kremlinit për të frikësuar opozitën politike të Rusisë.

SHKARKO APP