Alarmohen ekspertët, disa shtete në SHBA preken nga një valë e re koronavirusi
Një valë e dytë koronavirusi ka goditur disa shtete të SHBA-ve disa javë pas heqjes së karantinës. Numri i të infektuarve është rritur në Florida, Teksas dhe Arizona, sipas një raporti të publikuar të mërkurën.
“Kemi një valë të re që po vjen në disa pjesë të vendit,” u shpreh Eric Toner nga Universiteti Johns Hopkins.
“Deri më tani është e vogël dhe e largët, por po vjen,”shtoi ai më tej.
Florida raportoi 8,553 raste të reja me Covid-19 këtë javë, më shumë se çdo periudhë tjetër shtatë-ditore, pas heqjes së masave të qëndrimit në shtëpi afërsisht një muaj më parë.
Në Teksas, numri i pacientëve të shtruar në spital është rritur me 6.3 për qind në 2.056 të martën, rritja më e madhe ditore që nga nisja e pandemisë. Dhe në Arizona, numri i rasteve të reja u rrit me 1,187 më 2 qershor.
Rritja e shifrave ka bërë që ekspertët të alarmohen edhe pse në përgjithësi, niveli i përgjithshëm i infektimit duket se po bie.