Amerika miraton vaksinën anticovid: Do vaksinohen edhe ata që e kanë kaluar!
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka aprovuar efektshmërinë dhe efikasitetin e vaksinës BioNTech-Pfizer në një dokument që u bë publik ditën e djeshme. Në raportin e saj të martën, FDA vuri në dukje se vaksina me dy doza dha efekt edhe pas injeksionit të parë, duke ulur rrezikun e marrjes së Covid-19. Vaksina u konfirmua të ishte 95% efektive pas dozës së dytë, tre javë më vonë.
Shkencëtarët e FDA gjithashtu zbuluan se vaksina ishte e efektshme në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjes së rëndë pas dozës së parë, një zbulim i rëndësishëm pasi disa ekspertë të shëndetit shpreheshin se vaksinat Covid-19 do të mbronin vetëm nga sëmundja e butë deri e moderuar. Efektet anësore ishin të zakonshme, veçanërisht tek njerëzit e rinj, zbuloi analiza. Ankesa më e zakonshme ishte lodhja, e ndjekur nga dhimbja e muskujve dhe dhimbja e kyçeve Në dokument thuhet gjithashtu se do të vaksinohen edhe personat që janë infektuar më parë. Të enjten do të mblidhet një komitet ekspertësh të cilët do të vendosin nëse do të bëhet aprovimi përfundimtar i vaksinës dhe fillimi i vaksinimit të qytetarëve në vend. Nëse vaksina do të aprovohet do të shpërndahen 100 milionë doza menjëherë te qytetarët.