ANALIZA/ Bashar al-Assad dhe Kim Jong Un: Përralla e dy diktatorëve
Nga: Zahra Ullah dhe Ivan Watson
Administrata Trump po përballet me dy diktatorë që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë: Presidentin Sirian Bashar al-Assad dhe Liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Megjithëse ata sundojnë dy vende komplet të ndryshme në në anë të kundërta të botës, regjimet e tyre kanë ngjashmëri befasuese.
Biznes Familjar
Të dy liderët e Sirisë dhe Koresë së Veriut trashëguan postet e tyre nga baballarët e tyre: Hafez al-Assad dhe Kim Jong Il. Dinastitë e familjeve të tyre kanë sunduar në dy vendet me përmasa dhe popullsi të ngjashme për shumë dekada, duke udhëhequr shtete ku policia përdor forcën brutale për të shtypur kundërshtimet.
Analistët vërejnë se megjithëse Siria dhe Koreja e Veriut nuk janë në të njëjtën linjë ideologjikisht, të dy liderët kanë “linja të trashëguara dinastie që kontrollojnë vendet e tyre përkatëse me frikë dhe represion”.
Hafez al-Assad mori pushtetin në vitin 1970 pas një grushti shteti pa gjakderdhje nga udhëheqësit ushtarakë dhe për 29 vite ai dominoi politikën dhe jetën në Siri. Pas vdekjes së djalit të tij të parë në një aksident me makinë, Hafez përgatiti djalin e tij të dytë, Bashar al-Assad si trashëgimtarin e tij.
Bashar mori pushtetin në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij.
Dinastia diktatoriale e Koresë së Veriut është më e vjetër se ajo e Sirisë. Me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, Kim Il Sung, gjyshi i dinastisë Kim, gjithashtu i njohur si “Presidenti i Përjetshëm”, u bë kryeministri i parë i Republikës Popullore Demokratike të Koresë në 1948.
Kim Il Sung i kaloi pushtetin të birit, Kim Jong Il, i cili u bë Lideri Suprem pas vdekjes së babait të tij në 1994. Diktatori aktual i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është djali i vogël i Kim Jong Il.
Mbretëria e izoluar është përcaktuar dhe formuar nga një kult personaliteti që rrethon familjen e saj sunduese. Dhjetëra mijëra përmendore dhe statuja të dinastisë Kim janë të ekspozuara me krenari në të gjithë vendin.
Ndryshe nga Koreja e Veriut e cila është konsideruar si një shtet i izoluar që nga Lufta Koreane, qeveria e Sirisë ka shijuar marrëdhëniet politike dhe diplomatike me vendet perëndimore.
Megjithatë këto marrëdhënie kanë qenë nën presion të madh që nga shpërthimi i luftës civile siriane, më shumë se 6 vite më parë. Sidoqoftë, marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Sirisë kanë mbetur miqësore për shumë dekada.
Rruga e Phenianit për në Damask
Babai i Bashar al-Assadit, Hafez al-Assad u takua me themeluesin e regjimit korean-verior, Kim Il Sung, në vitet ’70. Si shtete klientë të Bashkimit Sovjetik, të dy vendet zhvilluan marrëdhënie ushtarake. Ambasada siriane ishte e vendosur në Phenian që në vitin 1970 dhe gjithashtu Koreja e Veriut ndihmoi Ushtrinë e Republikës së Sirisë për të zhvilluar disa lloje sisteme raketash.
Për shumë vite, Koreja e Veriut dyshohej se furnizonte Sirinë me raketa të avancuara Scud dhe teknologjinë për t’i prodhuar ato.
Në 2007, Izraeli nisi një sulm ajror në një strukturë të dyshuar bërthamore në Siri, e cila besohet se ishte zhvilluar me ndihmën e Koresë së Veriut.
Këto marrëdhënie diplomatike kanë vazhduar deri në ditët e sotme dhe qeveritë e dy vendeve vazhdimisht i dërgojnë njëra tjetrës mesazhe solidariteti dhe mbështetje.
Në prill të 2017, pas një sulmi të dyshuar kimik të qeverisë së Sirisë mbi civilët, Kim Jong Un i dërgoi një mesazh urimi Assadit me rastin e përvjetorit të themelimit të partisë qeverisë së Sirisë, raportoi në atë kohë agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA. Sipas agjencisë, Assad ju përgjigj duke falënderuar Kim Jong Un për urimet e tij në ditën kombëtare të Sirisë.
Në 2015, qeveria siriane i vuri emrin ‘Kim Il Sung’ një parku në Damask. Në ceremoninë e inaugurimit të parkut, Zv/Ministri i Jashtëm i Sirisë e quajti themeluesin korean-verior “një udhëheqës historik, i famshëm për betejën e tij për të çliruar dhe për të ndërtuar vendin e tij”.
Përveç përfitimeve nga njëra tjetra, Siria dhe Koreja e Veriut gjithashtu janë të varura nga patronazhi i aleatëve shumë më të mëdhenj. Siria merr armë dhe mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake nga Rusia ndërsa Koreja e Veriut varet tek Kina për më shumë se 80% të tregtisë ndërkombëtare.
Por të dy vendet janë në të njëjtën linjë në përballjen me SHBA-në. Agjencia shtetërore e lajmeve siriane madje shpesh i referohet SHBA-së si “kundërshtar i përbashkët” i Sirisë dhe Koresë së Veriut.
Sakaq të dy vendet e izoluara janë bërë shumë shpejt një shënjestër për Presidentin amerikan Donald Trump. Administrata e tij po përpiqet t’i japë fund përdorimit të armëve kimike të Sirisë dhe programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut duke u përpjekur të bindë Moskën dhe Pekinin të braktisin Sirinë dhe Korenë e Veriut, dhe duke udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të izoluar këto dy regjime përmes sanksioneve dhe kërcënimit për përdorim të veprimeve ushtarake.
Por pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së, Pheniani dhe Damasku vazhdojnë provokimet.
Regjimi i Kim Jong Un vazhdon të kërcënojë me testet bërthamore dhe të mbrojë programin e armëve bërthamore- megjithëse të dyja janë të ndaluara sipas rezolutave të Këshillit të Sigurisë së OKB-së.
Ndërkohë, pavarësisht një konflikti të përgjakshëm në të cilin janë vrarë më shumë se 400,000 sirianë dhe gjysma e popullsisë janë zhvendosur, Bashar al-Assad akoma vazhdon të jetë në pushtet ndërsa mohon akuzat për përdorimin e armëve kimike dhe shkelje sistematike të drejtave të njeriut.
Shkrimi në CNN
BalkanWeb/Aleksandra Kola
KOHA JONË SONDAZH

