Analiza e VOA-s: Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë mes dallimeve kulturore në arsim

Kandidatët rivalë për Shtëpinë e Bardhë, demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump, i kanë përqendruar fushatat kryesisht tek çështje të nxehta si emigracioni, aborti dhe ekonomia.

Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurel Bowman, përplasja kulturore mbi mënyrën se si të trajtohen çështjet e identitetit gjinor nëpër shkollat fillore dhe tetëvjeçare, është bërë një çështje e nxehtë për prindërit.

Arsimi i ciklit të ulët dhe tetëvjeçar, i cili ofrohet falas nga qeveritë lokale në Shtetet e Bashkuara, nuk është një temë kryesore në zgjedhjet e nëntorit. Dy kandidatët rivalë, Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish Presidenti Trump madje as që e përmendën.

Por çështja ka një rëndësi të madhe për një grup nënash që u mblodhën kohët e fundit në Uashington gjatë një takimi të organizuar nga një koalicion grupesh konservatore.

Demokratja Natalya Murakhver, i tha Zërit të Amerikës se ajo do të votojë për republikanët në këto zgjedhje, kryesisht për shkak të arsimit.Ajo tha se nuk dëshiron që identiteti gjinor të jetë pjesë e programit arsimor në shkollat publike.

“Këto çështje duhen diskutuar në çdo shtëpi. Shtrohet pyetja se pse ky lloj materiali po prezantohet tani në arsim dhe çfarë po zëvendëson, kur kemi rezultate të dobëta në shkrim e lexim, matematikë dhe shkencë”.

Ish mësuesja Patty Alexander nuk pajtohet që transgjinorët të marrin pjesë në aktivitetet sportive të vajzave.

“Ata që janë lindur djem duhet të luajnë në ekipet e djemve sepse mund t’i lëndojnë vajzat. Për sigurinë e vajzave, duhet që ato që janë lindur vajza të luajnë në ekipet e vajzave”.

Të tjera nëna i thanë Zërit të Amerikës se Departamenti i Arsimit ka shumë kontroll mbi sistemet shkollore lokale. Rebecca Weber është një prej tyre.

“Kemi nevojë për një reformë të plotë. Qeveria ka shumë pushtet”.

“Departamenti i Arsimit duhet të shfuqizohet. Nuk e di arsyen pse ekziston”.

Këto nëna do të votojnë për republikanin Trump. Prindër të tjerë thonë se kanë pikëpamje të ndryshme dhe nuk identifikohen me zotin Trump apo Partinë Republikane.

“Kamala Harris beson se unë ekzistoj dhe Trump-i jo”, thotë Bethy Leonardi me Universitetin e Kolorados.

Profesoresha Bethy Leonardi, një nënë pjesëtare e komunitetit LGBT, themeloi një grup që punon që të rinjtë e këtij komuniteti të respektohen nëpër shkolla. Ajo thekson nevojën e programeve arsimore për identitetin gjinor qysh në moshë të vogël.

“Kam një 5-vjeçar… dhe gjinia është një nga bisedat e para që bëjmë. Ka fëmijë shumë të vegjël që po identifikohen si transgjinorë. Është e rëndësishme që nxënësit e tjerë ta kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh transgjinor”.

Pjesëmarrja e transgjinorëve në sporte nuk duhet t’i shqetësojë prindërit, thotë profesoresha Elizabeth Meyer, e cila hulumton këtë çështje.

“Të thuash se një person trans do të jetë më i shpejtë, më i fortë, më i rrezikshëm, më i aftë në një farë mënyre se vajzat e tjera, është keqkuptim i ndryshimit natyror që ndodh tek një grup fëmijësh”.

Meyer nuk e mbështet zotin Trump.

“Kur kandidati Trump flet për eliminimin e Departamentit të Arsimit, kjo do të dëmtonte të gjitha llojet e programeve për të gjithë spektrin e fëmijëve në të gjithë vendin”.

Zoti Trump e kundërshton pjesëmarrjen e transgjinorëve në ekipet e vajzave si dhe programet e identitetit gjinor në shkollat publike. Pala tjetër thotë se zonja Harris është me ta.

Kandidati Trump është shprehur për eliminimin e Departamentit të Arsimit ndërsa demokratja Harris është kundër. /voa

SHKARKO APP