Analiza/ Kim Jong i tregon dhëmbët Koresë së Jugut, e motra bën negociatat

Rrënjët e thella në pushtet dhe linja “revolucionare” e gjakut, e bëjnë Kim Yo-jong një kandidate potenciale për zëvendësuar të vëllanë në Korenë Veriore patriarkale. Kur vendi vendosi t`i bashkohej Lojërave Olimpike Dimërore 2018 në Korenë e Jugut dhe të niste kështu një periudhë të përshpejtuar të afrimit të qëndrimeve në gadishull, ofensiva e tij “e hijshme” u drejtua nga një fytyrë e buzëqeshur.

Kim Yo-jong, motra e vetme e drejtuesit më të lartë të Veriut komunist, Kim Jong-un. Tani, teksa Kim kërcënon t`i japë fund zbutjes së brishtë të marrëdhënieve me një cikël të ri veprimesh luftëndjellëse dhe provokimesh ushtarake, është motra e tij që po flet përsëri për kombin, këtë herë duke shprehur përbuzje ndaj Koresë së  Jugut – një sinjal i forcimin e saj në gjirin e një regjimi të trashëguar.

“Sëmureshe po të dëgjoje fjalimin,” tha Kim Yo-jong për udhëheqësin e Jugut, Moon Jae-in në një deklaratë të lëshuar së fundi, në të cilën i referohej mesazhit të tij këtë javë ku bënte thirrje për paqe në Gadishullin Korean. “Ai duket se është çmendur, ndonësë nga jashtë shfaqet normal. Kështu që vendosa të përgatisja një bombë fjalësh për t’ia bërë të ditur njerëzve tanë”, tha ajo.

Në Korenë e Veriut, pak udhëheqës përveç Kim Young Un mund të lëshojnë deklarata në vetën e parë si kjo. Por 32-vjeçarja, e cila është zëdhënësja më e lartë dhe koordinatorja e politikës së vëllait të saj, ka shumë më tepër fuqi nga sa lë të kuptohet mosha e saj dhe “varfëria e titujve”, zëvendës shefe departamenti në Partinë e Punëtore dhe anëtare alternative, e jo me status të rregullt e Byrosë Politike.

Ndikimi i saj në një hierarki të ngjeshur me gjeneralë të moshuar dhe sekretarë partie rrjedh nga “gjaku revolucionar” që i kalon në deje. Ajo është mbesë e Kim Il-Sung, të themeluesit të Koresë së Veriut, që ende nderohet atje si figurë hyjnore. Kjo e bën atë një kandidate të mundshme ( madje edhe në kulturën thellësisht patriarkale të Veriut), për të zëvendësuar vëllanë e saj, i cili besohet të jetë 36 vjeç, nëse ai ndërron jetë ose bëhet i paaftë për të drejtuar.

Ngritja sistematike e Kim Yo-jong i shton një ndjenjë vazhdimësie planeve të kalimit të pushtetit brenda familjes në Korenë e Veriut, thonë analistët. Në këtë vend, liderët e ardhshëm të lartë duhet të ndërtojnë kredencialet e dikujt që mund t`i dalë ballazi Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ajo që po shohim tani është se Koreja e Veriut është duke hartuar një plan rezervë në rast se shëndeti i Kim Jong-un merr për keq”, tha Yoo Dong-ryul, specialist për Korenë e Veriut në Institutin Koreja për Demokracinë Liberale në Seul.

“Problemi me Kim Yo-jong si pasardhëse është se ajo është një grua dhe është ende shumë e re, “shtoi ai. “Kështu që vëllai i saj po e ndihmon të udhëheqë ofensivën kundër Koresë së Jugut dhe të krijojë lidershipin e saj në mënyrë që të davarisë çdo hezitim që mund të kenë për të ndjekës të linjës së ashpër në ushtri dhe parti”.

Mungesat e gjata në publik të Kim Yong Un këto muajt e fundit kanë nxitur spekulimet se ai mund të jetë i sëmurë rëndë, dhe nëse do të ishte kështu, çfarë do të ndodhte me arsenalin bërthamor të Veriut dhe kush do ta zinte vendin e tij nëse nuk është më në gjendje të drejtojë. Nëse do të duhej të hiqte dorë nga pushteti, asnjëri nga tre fëmijët e tij – që mendohet se nuk e kanë kapur asnjëri adoleshencën – nuk janë aq të rritur sa të marrin frerët e vendit.

Kim ka dhe një vëlla më të madh, Kim Jong-chol, i cili thuhet të jetë konsideruar nga babai i tyre si shumë i butë për të drejtuar kombin. Ai nuk është parë kurrë në publik me vëllanë e tij të vogël.

Në vitin 2017, Kim vrau vëllanë e tij nga babai në Jong-nam, në Kuala Lumpur. Ai ekzekutoi gjithashtu xhaxhanë e tij Jang Song-thaek. Kim ka dhe një xhaxhai tjetër, Kim Pyong-il, 65 vjeç, që u thirr mbrapsht vitin e kaluar pas dekadash të tëra që shërbeu si një ambasador i profilit të ulët në vendet e Europës Lindore. Por pas një largimi kaq të gjatë, ai nuk ka më bazë pushteti në Penian.

Halla e Kimit, Kim Kyonghui, është e sëmurë. E gjitha kjo sipas analistëve e bën motrën e tij pasardhësen më të mundshme, nëse i vëllai vdes përpara se të rriten fëmijët e tij.

*Shkrim i përkthyer nga Nju Jork Times nga Gazeta SHQIP

SHKARKO APP