Angela Merkel, gruaja që frymëzon gratë

Kancelarja gjermane Angela Merkel është shndërruar në një ikonë të feminizmit përgjatë 16 viteve në pushtet. Merkel është gruaja që adhurohet në mbarë botën. Është gruaja që ka treguar aftësi dhe dinjitet ndër vite dhe që i ka mbijetuar sulmeve apo krizave të njëpasnjëshme, jo vetëm në Gjermani. Kështu e nis vlerësimin për Angela Merkel, aktivistja e të drejtave të njeriut, njëkohësisht redaktorja e revistës “Emma”, Alice Schwarzer.

“Siç është e ditur tashmë, ajo nuk është feministe, jo domosdoshmërish dhe nuk i ka kaluar këto 16 vite, duke kryer vepra të mëdha feminist. Për të qenë e sinqertë, ajo ka patur shumë pak gjëra në dorë por ka mbështetur vërtetë ministren e saj të parë femër Ursula Von Der Leyen, në ndërmarrjen e politikave edhe më moderne familjare. Dhe ky është fakt”, thotë Schwarzer.

Në 2017, Merkel iu shmang pyetjes në qoftë se e konsideronte veten një feministe, në një diskutim të hapur, mbi një skenë, ku në krah kishte po ashtu femra të arrira, në politikë e biznes, si shefja e FMN Christine Lagarde dhe Ivanka Trump, vajza dhe ish këshilltare e ish presidentit Trump.

“Historia e feminizmit është një nga gjërat për të cilat është diskutuar gjatë por ka gjëra që nuk më takojnë mua. Thjesht nuk dua të dekoroj veten me një titull që aktualisht nuk e kam”, deklaronte ajo në 2017. Gjithsesi, me kalimin e viteve, kimistja kuantike e ndryshoi qëndrimin e saj. “Sot, mund t’i përgjigjem pyetjes me një Po dhe të them që jam një feministe. Në atë kohë, në skenë, u mundova të ktheja një përgjigje me të qeshur. Sot e kam menduar përgjigjen më gjatë dhe mund të them Po, duhet të jemi të gjithë feministë”, theksoi ajo në 2021.

Në premierën e një filmi që rrëfente më së miri historinë e një gruaje në politike në Gjermaninë Perëndimore të post-luftës, Merkel tha se ndihej e zhgënjyer që gratë ende përbëjnë vetëm 31% të parlamentit. Alice Schwarzer kujton se Gjermania nuk ishte ende gati për kancelaren e saj të parë femër, në kohën kur Kristian Demokratët fituan me vështirësi në 2005, me paraardhësin e Merkelit Gerhard Shrëder, që tha publikisht se nuk besonte tek Merkel dhe se ajo nuk bënte për këtë punë.

“Ka qënë një lloj aksidenti le të themi. Gjermania nuk ishte në të vërtetë gati për një kancelare femër. Dhe kur ajo u zgjodh në krye të mazhorancës me gjysmë milioni vota, ish kancelari Shroeder, doli në televizion dhe tha: ajo nuk është gati për këtë, do tju drejtoj unë. Katër vite më parë, ai kishte siguruar mazhorancën me vetëm 60 mijë vota. Javët që pasuan do të ishin krejt skandaloze, në këtë Gjermaninë tonë demokratike, ku pati diskutime serioze nga gjithkush e kudo: në media, Brenda vetë partisë së saj, ku askush nuk ishte I bindur se gruaja e zgjedhur do të mund të bëhej një kancelare e vërtetë”, vijon Schwarzer që shton se “ajo më duket e jashtëzakonshme, e mendoj vërtet këtë. Në një lloj mënyrë ka mbetur një e jashtme, si grua në pushtet, në Gjermani. Ka qëndruar gjithnjë pak e veçuar, duke lënë të kuptojë se është ndryshe. Por ajo ka një lloj sovraniteti absolut, me kokën gjithnjë lart dhe me këtë mënyrë është përballur me burrat më të fuqishëm të botës dhe këta burra kanë qenë të mahnitur nga kancelarja jonë”.

Gruaja nga ish lindja komuniste kishte bërë shumë më shumë nga sa edhe kundërshtarët e saj apo më pesimistët kishin menduar dhe në publik, ajo do të tejkalonte në vlerësim, edhe ish mentorin e saj Helmut Kohl, për tu bërë kancelarja më jetëgjatë në detyrë e Gjermanisë.

Pavarësisht faktit, se shpeshherë Merkel ka që në në qendër të vëmendjes për veshjen e pazakontë për një femër, me kostume larg feminilitetit dhe takave të larta, Schwarzer thotë se kancelarja përsëri ka një sharm femëror, që zakonisht e përdor në takime me liderët botërorë, si presidenti francez Macron.

“Në fund të ditës, ne jemi gra. Dhe ajo u mundua ta minimizojë këtë fakt, sa më shumë të ishte e mundur, duke nisur nga stili i saj i veshjes. Ka kërkuar që të jenë rehat, me xhaketa dhe pantallona. Këpucë të sheshta. Merkel nuk ka naze dhe nuk luan rolin e një kokete. Në të njëjtën kohë, unë kam parë se ajo ka një sharm të sajin. Do të thoja se Merkel qëndron diku mes një vajze dhe një shoku të fortë. Ka diçka tek ajo që flirtin dhe miqësinë, edhe në punët e shtetit, i bën të hijshme. Këtë e kemi parë psh në rastin kur ka takuar presidentin francez Macron, ku nuk e ka fshehur simpatinë”, vijon ajo.

Gratë dhe vajzat thonë se qeverisja e Merkel ka dhënë një impakt të jashtëzakonshëm në vend, atje ku roli i grave dhe vajzave është ende i papërfillshëm në vendimmarrje. Por që në moshë të vogël, vajzat në Gjermani, duan të bëhen si Merkel, pasi e shohin si një figurë të jashtëzakonshme, si grua dhe udhëheqëse.

SHKARKO APP