Anglia gjobë 5000£ për këdo që shkon me pushime jashtë
Anglia ka vendosur të sjellë në jetë ligjin për vendosjen e gjobave prej 5000£ për këdo që vendos të lëvizë jashtë vendit pa ndonjë arsye të mirë dhe pritet të hyjë në fuqi javën e ardhshme si pjesë e ligjeve të reja të koronavirusit.
Dënimi përfshihet në legjislacionin që do të votohet nga deputetët të Enjten. Pushimet e huaja aktualisht nuk lejohen sipas rregullit “qëndrimi në shtëpi” i cili përfundon të Hënën.
Por atëherë ndalimi i largimit nga Britania e Madhe në këtë kohë do të bëhet një ligj specifik i mbështetur nga kërcënimi i gjobës.
Sipas planit aktual për lehtësimin e kufizimeve, data më e hershme që njerëzit në Angli mund të shkojnë jashtë për një pushim do të ishte 17 maji.
Sidoqoftë, një rritje tjetër e rasteve të Covid në Evropën kontinentale, si dhe shtrirja e ngadaltë e vaksinave në të gjithë Evropën, ka hedhur dyshime mbi rinisjen e udhëtimeve të huaja.
Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock tha se kufizimet për të udhëtuar jashtë ishin të domosdoshme për të shmangur importimin e një numri të madh të rasteve dhe variante të reja që mund të vënë në rrezik shpërndarjen e vaksinave.