Anglia njofton mbylljen e të gjitha shkollave prej datës 20 mars, 104 viktima nga COVID-19
Pas Skocisë dhe Uellsit, edhe Anglia njoftoi mbylljen e shkollave në të gjithë vendin prej ditës së premte (20 mars) për shkak të COVID-19.
Ishte sekretari i arsimit, Gavin Williamson që njoftoi këtë pasdite se procesi mësimor do të ndërpritet prej së premtes deri në një njoftim të dytë.
Por disa shkolla do të qëndrojnë hapur për fëmijët e të gjithë personave që punojnë në fronin e parë për parandalimin e COVID-19.
Këtu do futen fëmijët e të gjithë mjekëve oficerëve të policisë, sanitarëve dhe vullnetarëve duke i liruar pjesërisht nga kujdesi ndaj fëmijëve të tyre.
Ky ligj pritet që të miratohet në ditët në vazhdim.
Kryeministri Boris Johnson tha se qeveria po punon me çerdhe dhe shkolla private për të mundësuar mbajtjen dhe ushqyerjen e tyre.
Provimet, shtoi ai, nuk do të zhvillohen në maj dhe qershor ashtu siç ishte planifikuar.
Ai shtoi se vendimi për të mbyllur shkollat ka më pak ndikim sesa masat e tjera – siç është këshilla për të qëndruar në shtëpi për shtatë ditë nëse shfaqnin simptoma, dhe për 14 ditë nëse dikush në familje shfaq simptoma.
Johnson tha se të gjithë duhet të ndjekin këshillat për distancimin shoqëror për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tyre.
“Shmangni të gjitha tubimet e panevojshme, pijet, klubet, baret dhe restorantet”, tha ai.
Johnson theksoi se qeveria e tij nuk do të hezitojë të përshkallëzojë më tej masat në ditët në vijim, në varësi edhe të situatës.
I pyetur nëse ka ndonjë mbështetje për industritë në vështirësi, Johnson tha se paraprakisht është miratuar një paketë e madhe mbështetjeje prej 20 miliardë paund për të mbështetur biznesin direkt.
Kryeministri shtoi se qeveria “do të vazhdojë të shikojë hapat që janë të domosdoshëm për të mbështetur ndërmarrjet që tani po përballen me vështirësi pa ndonjë faj të tyre”.
Ai shtoi se ai është “absolutisht i bindur që ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar do të kthehet shumë fuqishëm dhe ne duam që ato kompani të ekzistojnë” kur kjo të ndodhë.
Në të gjithë Britaninë numri i viktimave ka shkuar në 104. Vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar 32 viktima duke shënuar ditën me vdekshmërinë më të lartë.
Numri total i të prekurve në Britani është 2626.