Anketat: Shumica e amerikanëve të kënaqur me ekonominë
Lajm i mirë për Presidentin Donald Trump. Sipas anketave të fundit, shumica e amerikanëve thonë se ata janë më mirë se sa kur Presidenti Trump mori detyrën. Presidenti po ndjehet i sigurtë se treguesit e mirë ekonomikë do t’i hapin rrugën rizgjedhjes së tij në nëntor.
Në tubime, dhe pothuajse në të gjitha rastet e tjera, Presidentit Trump i pëlqen të flasë për ekonominë në rritje. “Që nga zgjedhja ime, Amerika ka krijuar 7 milion vende të reja pune. Papunësia ka arritur nivelin më të ulët në një gjysmë shekulli. Shkalla mesatare e papunësisë nën administrimin tim është më e ulët se në çdo administratë të mëparshme në historinë e vendit tonë”, tha presidenti.
Shumica e analistëve pohojnë se treguesit bazë përfshirë tregun e aksioneve, PBB-në dhe papunësinë, janë në nivele të shkëlqyera, duke i dhënë presidentit një ngritje politike. “Është e drejtë të thuhet se ekonomia ka vazhduar trendin e saj të rritjes që filloi në fundit e administratës Obama dhe fillimit e administratës Trump”, thotë Kathleen McKiernan, asistente profesore në universitetin Vanderbilt.
Por, si ndihen amerikanët? “Kur njerëzit thonë se ka ulje të taksave dhe ekonomia është më e mirë unë nuk e shoh domosdoshmërisht, kështu”, thotë Cameron Croteau. “Punët kanë filluar të vijnë … Nëse nuk del të kërkosh punë nuk do të kesh punë. Ai nuk do të vijë të të jape punë, duhet të shkosh ta gjesh vetë. Kështu që .. votoni për Trumpin!”, thotë Curtis Tyler.
Një sondazh i fundit nga Gallup tregon se amerikanët e vlerësojnë këtë ekonomi si më të mirën që nga fundi i viteve 1990. Megjithatë, shumë amerikanë punojnë me paga minimale dhe kanë vështirësi të paguajnë të gjitha faturat e tyre. Më shumë se 38 milion njerëz jetojnë nën pragun e varfërisë, dhe më shumë se 90 milion jetojnë pranë varfërisë.
“Sigurt pasuria po rritet. Por ekziston gjithashtu një frikë në rritje se kjo pasuri po përqendrohet tek disa njerëz. Dhe në të vërtetë nuk po përhapet në të gjithë popullsinë”, thotë Kathleen McKernan.
Pretendentët presidencialë demokratë iu pëlqen ta prekin këtë temë, ndërsa sulmojnë politikat ekonomike të Trumpit. “Duam një ekonomi dhe një qeveri që punon për të gjithë ne, jo për të pasurit që kontribuojnë në fushata”, thotë senatori Bernie Sanders. I njëjti sondazh tregoi se më shumë se gjashtë në 10 amerikanë thonë se janë më mirë se sa ishin kur Trump mori detyrën.
“Është jashtëzakonisht e vështirë të mposhtësh një president, nuk ka rëndësi nëse është republikan apo demokrat, kur ekonomia po rritet, ka shumë punë, pagat po rriten, të gjitha këto gjëra ndihmojnë për të mbajtur një president në detyrë”, thotë Hans von Spakovsky me Fondacionin Heritage.
Asnjë president tjetër në detyrë në tre dekadat e fundit nuk ka shijuar një përqindje kaq të lartë të njerëzve që thonë se ndjehen më mirë për gjendjen e tyre ekonomike. Ende ka shumë faktorë të tjerë që do të përcaktojnë rezultatin përfundimtar në zgjedhjet e nëntorit. /Voa/