Anti-terrori në gatishmëri pas kërcënimeve të Iranit
Vrajsa e gjeneralit Qassem Soleimani nga forcat Amerikane me 2 janar në Irak ka shtuar vëmendjen e forcave anti-terror në vendin tonë. Burime zyrtare nga policia e shtetit bëjnë me dije se, agjentët e anti-terrorit gjatë ditëve të fundit kanë rritur shkëmbimin e informacionit me agjensitë vendase dhe të huaja ligjzbatuese, teksa vazhdojnë të mbajnë nën vëzhgim shtetasit iranianë që qëndrojnë në vendin tonë për të parandaluar ndonjë akt të mundshëm terrorist.
Qassem Soleimani ishte komandant i forcave revolucionare Quds të Iranit. Ndërsa tetorin e kaluar, policia shqiptari deklaroi se zbuloi një celulë që drejtohej nga forcat Quds e cila do të organizonte sulm terrorist në kryegjyshatën botërore bektashiane në Tiranë ditën e sulltan nevruzit.
Në atë kohë u ndaluan 3 iraninë nga anti-terrori që deklaruan se ishin gazetarë dhe kishin ardhur në Shqipëri me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Hetimet për celulën terroriste nisën në mars të 2018-ës nën drejtimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Eugen Beçi dhe njësisë së antiterorit në Policinë e Shtetit. Si rrjedhojë e këtij hetimi pati dhe lëvizje diplomatike në Tiranë, ku ambasadori i Iranit dhe një diplomat i ambasadës iraniane u dëbuan për cënim të sigurisë kombëtare.