Ari kap çmim rekord
Bursat aziatike janë çelur këtë të hënë me një çmim të ri rekord për arin. Ekspertë të fushës njoftojnë se pasiguria ekonomike që shkakton pandemia e koronavirusit dhe konflikti midis Amerikës dhe Kinës janë dy ndër shkaqet kryesore.
Floriri ka kapur çmime rekord këtë fillimjavë pasi shqetësimet për çështje si pandemia e koronavirusit, si edhe tensionet midis Amerikës dhe Kinës, kanë ndikuar tek investitorët.
Bursa aziatike është çelur këtë të hënë me çmimin e saj rekord 1.931 dollarë për ons, nivel i cili eklipsoi edhe çmimin e mëparshëm rekord të vendosur në shtator të 2011-ës.
Në një deklaratë të tijën, Vivek Dhar, specialist i lartë pranë Bankës Qendrore të Australisë tha se dobësimi i dollarit amerikan dhe kërkesa për një “strehë të sigurtë financiare” janë dy ndër shtysat kryesore.
“Një inflacion në nivel pak të lartë në Amerikë për 10 vjetët e fundit ka ndikuar në këtë çmim” – thotë eksperti Vivek Dhar.
Mediet e specializuara për bursën sjellin në vëmendje gjithashtu edhe forcimin e ndjeshëm të javës së kaluar të jenit japonez përballë dollarit amerikan.
Luhatjet në çmimet e metaleve të çmuara erdhën pasi tensionet janë rritur në mes të Uashingtonit dhe Pekinit.
Kina njoftoi të premten se urdhëroi Shtetet e Bashkuara që të mbyllin konsullatën në Chengdu, pasi amerikanët më herët kishin kërkuar mbylljen e konsullatës kineze në Houston.
Para kësaj, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo gjithashtu kritikoi fortë Kinën në një fjalim të enjten.
Ai tha se Uashingtoni nuk do t’i tolerojë më përpjekjet e Pekinit për të uzurpuar rendin global.
Ndërkaq, një faktor tjetër që sjell kërkimin e strehave të sigurta për të investuar është edhe numri i rasteve të koronavirusit që vijon të rritet.
Më shumë se 16 milion njerëz në mbarë botën janë infektuar nga koronavirusi, me SHBA-të që llogariten në krye të listës me rreth 4.4 milionë të infektuar.