Ari rikthehet në rritje. Perspektiva për stimuj ekonomikë dhe rënia e dollarit ofrojnë mbështetje
Çmimet e arit janë rritur nga niveli më i ulët në një muaj e gjysmë që prekën në sesionin e kaluar, prej tërheqjes së dollarit amerikan. Perspektiva për stimuj të mëtejshëm ekonomikë në botë, ka mbështetur gjithashtu metalin e çmuar. Norma spot e arit u rrit në 1,837 dollarë për onz në nisje të tregtisë, duke u rimëkëmbur nga niveli i ulët prej 1800 dollarë që preku ditën e Hënë. Ekspertët thonë se faktori kryesor është dollari amerikan dhe se mund të ketë zhvlerësime të mëtejshme, që do fuqizojnë metalin.
Dollari ra nga niveli më i lartë në 4 javë që preku më parë, përpara dëshmisë së Sekretares së zgjedhur të Thesarit, Janet Yellen përballë senatit. Në vëmendjen e investitorëve është edhe paketa e radhës e stimujve në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që presidenti i zgjedhur Joe Biden ka propozuar 1.9 trilionë dollarë.
Dollari i dobët, yieldet reale negative, investimet në fondet e listuara në bursë që ndjekin çmimin e arit si dhe kërkesa fizike në Kinë për metalin, pritet të vazhdojnë të mbështesin arin.
/ SCAN