Armenët dorëzojnë distriktin e fundit
Azerbajxhani ka ngritur flamurin në distriktin e fundit të lartësirës së Karabakut që Armenia e dorëzoi si pjesë të traktatit pas kapitullimit në betejë.
Kolona e kamionëve ushtarakë parakaloi në mesnatë zonën e Lakinit, ndërsa banorët e kryeqytetit azer festuan rimarrjen e territorit që deri në vitin 1991 u përkiste atyre.
Zona iu shkëput me luftë Azerbajxhanit nga separatistët e atëhershëm të Nagorno-Karabakut, shkëputje për pavarësi e cila do i kushtonte rajonit rreth 30 mijë të vrarë.
“Fituam, krijuam një realitet të ri duke ia thyer kokën armikut dhe duke e zmbrapsur nga tokat e pushtuara prej nesh. Të gjithë duhet ta pranojnë siç e pranoi vetë Armenia. I rikthyem vendin integritetin territorial,” deklaroi presidenti azer, Ilham Alijev.
Lakini, Agdami dhe Kalbaxhari ishin tre nga shtatë distriktet të cilat qeveria armene ra dakord më 9 nëntor që t’i kontrollojë Azerbajxhani në këmbim të ndaljes së ofensivës ushtarake.
Popullsia etnike armene e Karabakut u shpërngul nga to paraprakisht, duke u vënë shpeshherë zjarrin shtëpive e tokave për të mos ua dorëzuar banorëve dhe regjimit të ri.
Disa banorë kanë zgjedhur bashkëjetesën me azerët.
“Kemi supermarketin, hotelin dhe shtëpinë. Nuk mund t’ia lëmë kujt pronat që i ndërtuam me djersën tonë. Mund të jetojmë dhe punojmë paqësisht.”
“E dimë që azerbajxhanasit do të vinin. Presim disa vështirësi, por besojmë se do i kalojmë.”
Sipas marrëveshjes së arritur me Kremlinin, 2 mijë paqeruajtës rusë janë shpërndarë përgjatë korridorit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për të garantuar respektimin e traktit të nëntorit.
Konflikti gjashtëjavor mes palëve la nga fundmuaji shtator mbi 1 mijë civilë e ushtarë të vrarë.
Edhe një ditë më parë forcat e rendit mbrojtën godinën e qeverisë armene nga protestuesit të cilët kërkojnë largimin e kryeministrit pse ai pranoi kapitullimin në luftën me fqinjët azerë.