Arrestohet një grup terrorist me ideologji të ISIS-it në Maqedoninë e Veriut (Foto+Video)
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Prokurorinë Publike kanë arrestuar një grup terroristësh të cilët kanë vepruar në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë aksionit kanë rënë në pranga tre anëtarë të grupit “Celula”, dhe u është konfiskuar një sasi e madhe e armëve, mucionit dhe pajisje të tjera.
“Departamenti për luftimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ngritur padi penale në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër personit me inicialet B.A. (28) nga Kumanova, me banim në Shkup, ndërsa kundër personave me inicialet V. А. (22) dhe E.L. (25), të dy nga Kumanova, për veprën penale ‘organizatë terroriste’ dhe ‘terrorizëm’”– shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, të arrestuarit janë persona të kthyer nga luftërat jashtë Maqedonisë së Veriut dhe më parë kanë qenë të dënuar.
Grupi me emrin “Celula” ka ideologji të ngjashme me organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS) dhe qëllimi i këtij grupi , ishte kryerja e akteve terroriste në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë arrestimit të të dyshuarve, u gjetën edhe dy rripa shpërthyes, dy pajisje me tela me trashësi të ndryshme, dy radio-stacione, një siguresë për pajisje shpërthyese, një kompjuter laptop, nëntë telefona celularë, pesë karta SIM, rroba kamuflazhi, dy thika etj.