Arrestohet “spiuni” britanik, punonte në ambasadë dhe raportonte në Rusi

Autoritetet gjermane kanë ndaluar një shtetas britanik, që dyshohet se ka spiunuar për Rusinë, teksa ka qenë duke punuar në Ambasadën britanike në Berlin.

Burri i identifikuar si David S., është arrestuar më 10 gusht në qytetin Potsdam, afër Berlinit, ka thënë Zyra e Prokurorit Federal në Gjermani, përmes një deklarate.

Në deklaratë është thënë se i dyshuari ka pasur pozitë jodiplomatike në Ambasadë.

Policia britanike ka konfirmuar arrestimin, duke thënë se shtetasi britanik është duke u mbajtur pas dyshimeve për kryerje të shkeljeve të lidhura me “aktivitete të inteligjencës”.

Sipas autoriteteve gjermane, i dyshuari besohet se ka bashkëpunuar me inteligjencën ruse nga nëntori i vitit 2020, dhe të paktën një herë u ka dhënë agjentëve rusë dokumente të lidhura me punën e tij, në këmbim të parave.

Arrestimi është rezultat i hetimeve të përbashkëta nga autoritetet gjermane dhe ato britanike.

Gjykata pritet të vendosë për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Më herët në muajin qershor, autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas rus të akuzuar për bartje të informacionit të ndjeshëm nga një universitet gjerman drejt Moskës, në këmbim të parave të gatshme./Rel

SHKARKO APP