Arrestohet terroristi i ISIS-it!
Policia italiane njoftoi të hënën se ka vënë në pranga një algjerian të dyshuar si pjesëtar të Shtetit Islamik dhe ndihmës në sulmin terrorist në Paris, në vitin 2015.
I dyshuari është arrestuar në qytetin e Barit për posedim të dokumenteve të falisfikuara. Do të lirohej nga qelia në qershor, por disa informacione të mbërritura në kuesturën italiane, kanë bërë që Athmane T. të jetë një nga arrestimet më të rëndësishme të policisë italiane.
Mediat italiane njoftojnë se Athmane T., dyshohet se është personi që ka siguruar dokumentet e falsifikuara për terroristët e armatosur dhe xhihadistët.
Hetuesit italianë bënë me dije se 36-vjeçari ishte pjesë e një qelize të grupit terrorist që kishte vepruar në Francë dhe Belgjikë bashkë me dy vëllezërit e tij.
Ai besohet se ka pasur kontakte me dy prej ekstremistëve të përfshirë në sulmet terroriste në Paris, në 2015-ën, të cilët sulmuan një supermarket hebre dhe redaksinë e gazetës satirike Charlie Hebdo.
Aktet e koordinuara terroriste më 13 nëntor të 2015-ës, në Paris, lanë të vdekur 130 qytetarë dhe qindra të tjerë të plagosur. Mediet franceze e cilësuan sulmi më vdekjeprurës në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Autorët sulmuan sallën e koncertit Bataclan, si dhe restorantet në Parisin lindor dhe në afërsi të stadiumit sportiv Stade de France.
Autoritetet franceze në bashkëpunim me ato europiane kanë arrestuar deri më tani 20 persona të akuzuar si të përfshirë në sulmet xhihadiste, dhe gjyqi pritet të fillojë në fund të vitit 2021.