“Asimptomatikët nuk e përhapin Covid-19”, sqaron OBSH: Po mësojmë gjatë gjithë kohës
Drejtuesi i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus adresoi të mërkurën komentet disi konfuzuese që u bënë më herë nga një zyrtare e organizatës.
Udhëheqësja teknike e OBSH-së për koronavirusin, Maria Van Kerkhove deklaroi ditë më parë se “është shumë e rrallë që një person asimptomatik të transmetojë virusin tek të tjerët.”
Duke iu referuar kësaj deklarate, Tedros u shpreh gjatë një konference:
“Që nga fillimi i shkurtit, ne kemi thënë personat asimptomatikë mund ta transmetojnë Covid-19, por kemi nevojë për të bërë akoma më shumë kërkim në mënyrë që të kuptojmë sesi funksionon transmetimi i virusit nga personat asimptomatikë.”
“Por ja çfarë e dimë ne, se gjetja, izolimi dhe testimi i personave me simptoma, dhe gjurmimi dhe karantinimi i kontakteve të tyre, është mënyra më kritike për të ndaluar transmetimin, ” shtoi më tej Tedros.
Kreu i OBSH shtoi se ky është një virus i ri, dhe se të gjithë po mësojnë me kalimin e kohës.
“Të komunikosh shkencë komplekse në kohë reale për një virus të ri nuk është gjithmonë i lehtë, por besojmë se është pjesë e detyrës sonë ndaj botës. Dhe ne gjithmonë mund të bëjmë më mirë. Ne mirëpresim debat konstruktiv. Kështu përparon shkenca,” deklaro më tej Ghebreyesus.
Maria Van Kerkhove i bëri deklaratat e saj për personat asimptomatikë të hënën dhe pas komenteve të shumta, të martën ajo sqaroi se përhapja e virusit nga këta persona është e mundur, por duhen akoma më shumë studime rreth kësaj çështjeje.