Assad iku në Rusi, la në errësirë vëllanë dhe kushërinjtë
Bashar al-Assad i kishte mbajtur njerëzit pranë tij ‘në errësirë’ për planet e tij për t’u larguar nga Siria, ndërkohë që regjimi i tij ishte në rënie, pas avancimit të rebelëve dhe pushtimit të Damaskut. Reuters shkruan se ndihmësit, zyrtarët dhe të afërmit e tij kishin një pamje krejtësisht të ndryshme dhe po përgatisnin “vijën e mbrojtjes” pas diskutimeve që kishin me të, siç zbuluan për Reuters njerëz me njohuri për lëvizjet e diktatorit sirian. Ai po ua shiste të gjithëve një “përrallë”.
Të shtunën e kaluar, orët para se të ikte në Moskë, Assad siguroi një takim me rreth 30 shefa të ushtrisë dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilëve u tha se mbështetja ushtarake ruse ishte në rrugën e saj për në Siri dhe u bëri thirrje forcave tokësore të durojnë, sipas një komandanti që ishte i pranishëm në diskutime.
Kur mbaroi punën, Assad informoi drejtorin e zyrës së tij presidenciale se po shkonte në shtëpi, por në vend të kësaj u nis për në aeroport, sipas një këshilltari në rrethin e tij të ngushtë. Ai gjithashtu thirri konsulenten e tij të komunikimit dhe i kërkoi asaj që të vinte në shtëpinë e tij për t’i shkruar një fjalim. Por kur arriti atje, nuk gjeti askënd. Ai nuk bëri asnjë përpjekje për të rezistuar
“Assad as që rezistoi, qoftë edhe për herë të fundit. Ai as nuk i mblodhi trupat e tij”, tha Nadeem Khoury, drejtor ekzekutiv i institutit rajonal të Iniciativës për Reforma Arabe. “Ai i la mbështetësit e tij të merren me fatalitetin”, shtoi ai. Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte Asadin në Moskë, ku i është dhënë azil politik, për të konfirmuar ose mohuar akuzat.
Sipas asaj që kanë zbuluar njerëzit me njohuri mbi lëvizjet e tij në ditët dhe orët e fundit të pushtetit të tij, ata pikturojnë figurën e një lideri që kërkoi ndihmë nga jashtë për të zgjatur sundimin e tij 24-vjeçar, përpara se të zgjidhte fshehtësinë dhe mashtrimin e bashkëpunëtorëve të tij (nga ndihmësit në rrethin e tij të ngushtë, te diplomatët rajonalë dhe zyrtarët e lartë iranianë), për të planifikuar largimin e tij nga Siria në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Në errësirë edhe vëllai me kushërinjtë e tij
Assad nuk e informoi as vëllain e tij më të vogël Maher, komandant i Divizionit të 4-të të Blinduar elitar të ushtrisë, për planin e tij për t’u larguar, sipas tre ndihmësve. Maher fluturoi me helikopter në Irak dhe më pas në Rusi, zbuloi një nga burimet. Kushërinjtë e Asadit nga nëna, Ehab dhe Eyad Maklouf, gjithashtu qëndruan në vend kur Damasku ra në duart e rebelëve, sipas një ndihmësi sirian dhe një zyrtari libanez të sigurisë.
Të dy u përpoqën të arratiseshin me makinë në Liban, por u zunë pritë nga kryengritësit që qëlluan Ehabin dhe plagosën Eyadin, pa asnjë informacion të mëtejshëm për shëndetin e tyre. Vetë Assad u largua nga Damasku me aeroplan të dielën, më 8 dhjetor, duke fluturuar nën radar me avion, thanë dy diplomatë rajonalë, duke i shpëtuar kthetrave të rebelëve që sulmuan kryeqytetin. Ikja dramatike i dha fund sundimit të tij 24-vjeçar dhe pushtetit të pandërprerë gjysmë shekullor të familjes së tij, ndërsa i dha fund luftës civile 13-vjeçare të Sirisë. Diktatori sirian u drejtua për në bazën ajrore ruse Khmeimim në qytetin bregdetar të Lattakia dhe prej andej fluturoi për në Moskë.
Ndërkohë, gruaja e tij Asma dhe tre fëmijët e tyre tashmë e prisnin në kryeqytetin rus, sipas tre ish-bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë dhe një zyrtari të lartë rajonal. Videot nga shtëpia e Asadit, të marra dhe të publikuara nga rebelët dhe civilët që u dyndën në kompleksin presidencial pasi ai u largua, e tregojnë atë duke bërë një dalje të nxituar, duke lënë pas ushqim të gatuar dhe disa sende personale, duke përfshirë albume fotografike familjare.
“Jo” nga Rusia dhe Irani
Më herët, i ishte bërë e qartë vetë Assadit se nuk do të kishte ndërhyrje ushtarake nga Rusia, ndërhyrja e së cilës në vitin 2015 kishte ndihmuar të kthente valën e luftës civile në favor të Asadit. Po ashtu ndërhyrje nuk do të kishte as nga aleati tjetër i tij i vendosur, Irani. Assad kishte vizituar Moskën më 28 nëntor, një ditë pasi forcat rebele siriane sulmuan provincën veriore të Aleppos dhe u përhapën si zjarr në të gjithë vendin, por lutjet e tij për ndihmë ushtarake ranë në vesh të shurdhër nga Kremlini, i cili nuk ishte i gatshëm të ndërhynte, thanë diplomatët.
Hadi al-Bahra, kreu i grupit kryesor opozitar të Sirisë jashtë vendit, tha se Assad nuk po ua kalonte faktet ndihmësve të tij, duke cituar një burim të afërt me diktatorin dhe një zyrtar rajonal. “Ai u tha komandantëve dhe bashkëpunëtorëve të tij pas udhëtimit të tij në Moskë se mbështetja ushtarake po vinte,” shtoi Bahra. “Ai i gënjeu. Mesazhi që mori nga Moska ishte negativ”. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të mërkurën se Rusia kishte bërë shumë përpjekje për të ndihmuar në stabilizimin e Sirisë në të kaluarën, por prioriteti i saj tani ishte konflikti në Ukrainë. Katër ditë pas këtij udhëtimi, më 2 dhjetor, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi u takua me Asadin në Damask.
Deri atëherë, grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) kishte marrë kontrollin e qytetit të dytë më të madh të Sirisë, Alepos, dhe po zgjerohej drejt jugut ndërsa forcat qeveritare u ‘shembën’. Asadi, i alarmuar dhe duke parë se çfarë po vinte, pranoi gjatë takimit se ushtria e tij ishte shumë e dobësuar për të ngritur një rezistencë efektive. Por ai kurrë nuk i kërkoi Teheranit të vendoste forca në Siri, sipas dy zyrtarëve të lartë iranianë, të cilët vunë në dukje se ai e kuptonte se Izraeli mund të përdorte çdo ndërhyrje të tillë si pretekst për të shënjestruar forcat iraniane në Siri apo edhe vetë Iranin.
Pasi shteroi opsionet e tij, Assad më në fund pranoi të pashmangshmen dhe vendosi të largohej nga vendi, duke i dhënë fund sundimit dinastik të familjes së tij që daton që nga viti 1971. Tre anëtarë të rrethit të tij të brendshëm thanë se ai fillimisht donte të kërkonte strehim në Emiratet e Bashkuara Arabe. Por zyrtarët e Emirateve hodhën poshtë çdo mendim të tillë që në fillim, duke pasur frikë nga një reagim ndërkombëtar për strehimin e një figure që i nënshtrohet sanksioneve të SHBA-së dhe Evropës mbi përdorimin e pretenduar të armëve kimike në një goditje ndaj rebelëve, akuza që Assad i ka mohuar.
Por Moska, nga ana e saj, ndonëse hezitonte të ndërhynte ushtarakisht, nuk ishte e gatshme të braktiste Assadin, sipas një burimi diplomatik rus që foli në kushte anonimiteti. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili mori pjesë në Forumin e Dohas në Katar të shtunën dhe të dielën, udhëhoqi shtytjen diplomatike për sigurinë e Asadit, duke u zotuar që Turqia dhe Katari të përdorin lidhjet e tyre me HTS për të siguruar kalimin e tij të sigurt në Rusi, thanë dy zyrtarë rajonalë.
Një burim perëndimor i sigurisë theksoi se Lavrov po bënte “gjithçka që mundi” për të siguruar largimin e sigurt të Asadit. Katari dhe Turqia ranë dakord me HTS për të lehtësuar daljen e Asadit, thanë tre nga burimet, pavarësisht pretendimit zyrtar të të dy vendeve se nuk kishin kontakte me rebelët. Moska gjithashtu u koordinua me shtetet fqinje për të siguruar që një aeroplan rus që po largohej nga hapësira ajrore siriane me Asadin nuk do të kapej apo shënjestrohej, thanë burimet. Ministria e Jashtme e Katarit nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve në lidhje me largimin e Asadit nga Siria, ndërsa HTS nuk mund të kontaktohej për koment nga Reuters.
Një zyrtar i qeverisë turke tha se nuk kishte asnjë kërkesë ruse për të përdorur hapësirën ajrore turke për fluturimin e Asadit, por nuk tha nëse Ankaraja ka punuar me HTS për të lehtësuar arratisjen. Kryeministri i fundit i Asadit, Mohammed Jalali, tha se ai foli me presidentin e tij të atëhershëm në telefon të shtunën mbrëma në orën 22:30. “Në telefonatën tonë të fundit, i thashë atij se sa e vështirë ishte situata dhe se kishte një zhvendosje të madhe (të njerëzve) nga Homs në drejtim të Latakisë… se kishte panik dhe tmerr në rrugë,” tha ai për TV Al Arabiya në pronësi saudite këtë javë. Ai u përgjigj: “Nesër do të shohim”, ka shtuar Jalali. “Nesër, nesër, ishte gjëja e fundit që më tha”. Jalali tha se ai u përpoq të telefononte përsëri Asadin pasi zbardhi agimi të dielën, por nuk pati asnjë përgjigje.