Athina e sigurt për disbursimin e këstit 8,5 mld euro, por partnerët vënë kushte

Qeveria greke është shprehur e sigurt se të premten do të merret vendimi për disbursimin e këstit të kredisë. Mirëpo bordi i Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM) ka vënë kushte të reja, duke kërkuar që Athina të avancojë sa më shpejt në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.

ESM do të mblidhet sërish më 7 korrik për të shqyrtuar progresin e qeverisë greke.

Ministri grek i Financave, Euklidis Tsakalotos, u shpreh të enjten i sigurt se vendimi i të premtes do të jetë pozitiv për Athinën.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Jam 100% i sigurt se të premten do të miratohet çlirimi i këstit. Nuk do ta thoshja këtë po të mos isha 1900% i sigurt”, deklaroi Tsakalotos.

Swiss Digital Mobile Reklama

I pyetur mbi kushtet e reja të ESM, ministri tha se “janë çështje teknike që po i shikojmë tani”.

Ndërkaq, gazeta ekonomike gjermane, Handelsblatt, bën me dije në numrin e sotëm se “ESM ishte i detyruar të shtyjë dhënien e këstit të kredisë, pasi Greqia nuk realizon ato për të cilat është angazhuar. Qeveria greke sërish nuk zbatoi ato pak angazhime që kanë mbetur pezull”, nënvizon gazeta gjermane.

Bordi i ESM –që përbëhet nga ministrat e financave të eurozonës- dhe u mblodh me një telekonferencë të mërkurën, deklaroi më pas se “inkurajon qeverinë greke të zgjidhë me shpejtësi çështjet e mbetura pezull. Kjo do t’i hapë rrugën miratimit të këstit të tretë të ndihmës ekonomike ndaj Greqisë, me vlerë 8,5 miliardë euro”, thuhet në deklaratën për shtyp të ESM.

Marrja e këtij kësti të kredisë ka rëndësi vendimtare për Athinën, pasi deri në fund të muajit korrik u duhet të shlyejë pagesa me vlerë 7,4 miliardë euro, për kredi më të hershme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?