Australi: Peshkaqeni i kafshoi këmbën, vdes serfisti
Në Australi janë rritur sulmet vdekjeprurëse me peshkaqenë. Tre viktima kanë humbur jetën këtë vit, rasti më i fundit, një serfist 60-vjeçar.
Kontakti me një peshkaqen në ujërat e Australisë ka përfunduar në tragjedi për një serfist australian.
Viktima i moshës rreth 60 vjeç u sulmua paraditen e së dielës në një nga plazhet juglindore të vendit.
Mësohet se një peshkaqen i bardhë me gjatësi trupore rreth 3 metra ndoqi dhe qarkoi tre persona teksa ata ushtroheshin me dallgët, duke përmbysur serfin e njërit prej tyre e duke kafshuar kofshën e majtë të viktimës.
Serfistët që e shoqëronin dhe disa dëshmitarë ndërhynë kundër peshkut grabitqar për ta shpëtuar 60-vjeçarin.
Edhe pse u arrit të nxirrej nga uji, ai nuk i mbijetoi dot plagëve.
“Veprimet i këtyre njerëzve për shpëtimin e zotërisë nuk mund të konsiderohen veçse heroike. Por në mënyrë tragjike ai ndërroi jetë në vendngjarje. Plaga në këmbën e tij të majtë qe e rëndë.”
Autoritetet vendëse njoftuan mbylljen me 24 orë të gjithë perimetrit të plazhit për pushuesit.
Pas kërkimeve disaorëshe u njoftua se peshkaqeni që shkaktoi vdekjen e serfistit ishte pikasur nga ajri por pa mundur të ndalej apo qëllohej.
Në Australi, sulmet e peshkaqenëve rrallë rezultojnë fatale për njerëzit.
Vendi raporton mesatarisht 1 vdekje të tillë në vit ndërsa në rajonin e Nju-Sauth-Uellsit, nga 204 incidente vetëm 66 kanë përfunduar në vdekje përgjatë 150 viteve të fundit.
Megjithatë, rasti i fundit e çon në tre numrin e viktimave nga peshqit grabitqare për këtë vit, pas atij të një zhytësi në muajin janar dhe vrasjes së një studiuesi të ri të botës shtazore në muajin prill.