Australia heton shkaqet e zjarreve, mbi 1 mld dollarë për rindërtimin
Ndërsa vijon betejën me vatrat aktive të zjarrit, Australia po bëhet gati të hetojë shkaqet e zjarreve që deri tani kanë vrarë 33 persona e kanë djegur mbi 6 milionë hektarë tokë.
Shteti australian i Nju-Sauth-Uellsit ka premtuar një hetim të pavarur për shkaqet e zjarreve që kanë shkrumbuar vendin.
Brenda 6 muajve pritet të detajohet roli i ndryshimeve klimatike dhe i njeriut në keqësimin e krizës.
Prej shtatorit të kaluar, zjarret në vend kanë vrarë 33 persona, rreth 1 miliardë kafshë mendohet të kenë ngordhur ndërsa 2,500 shtëpi janë shkatërruar.
“Nga ky proces vetëm fitojmë, nuk kemi gjë për të humbur. Nuk kemi për të lënë gurë pa kthyer, pasi është në interesin tonë, të qytetarëve që të zbulojmë gjithçka mundemi dhe të japim rekomandime kritike për të ardhmen,” u shpreh, Gledis Berixhiklin, kryeqeveritarja e Nju-Sauth-Uellsit.
Përpos hetimit, ekzekutivi qendror dhe ai federal kanë rëndë dakord të ndajnë kostot e pastrimit të zonave të djegura.
Mbi 1 miliardë dollarë do shpërndahen për rindërtimin e shtëpive dhe të komuniteteve.
“Kemi marrëveshje mes qeverive të Nju-Sauth-Uellsit dhe asaj federale për të ndarë 50 me 50 kostot e pastrimit. Zjarret vazhdojnë ndaj nuk japim dot vlerësimin ekzakt të dëmeve, por kanë për të qenë qindra milionë dollarë,” deklaroi ministri i financave.
Flakët në Australi kanë djegur një sipërfaqe prej 6 milionë hektarë prej fillimit të sezonit veror vitin e kaluar, dhe disa vatra zjarri mbeten ende aktive.