Autoritetet britanike ngrejnë alarmin: Mashtruesit po shesin vaksina anti-Covid false
Shumë qytetarë britanikë janë mashtruar duke paguar për vaksina anti-Covid, tha Ministri i Shëndetësisë së Uellsit këtë të hënën, duke përsëritur paralajmërimet e policisë për të pasur kujdes.
Një program vaksinimi masiv po zhvillohet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit (NHS), i cili siguron të gjithë kujdesin, përfshirë vaksinat falas.
“Ka një numër mashtrimesh që kanë të bëjnë me COVID, duke përfshirë pagimin për vaksina antiCovid.” tha Vaughan Gething, në një konferencë.
“Unë dua të jem i qartë, autoritet e shëndetësisë tonë kurrë nuk do të kërkojë që të paguhet për vaksinën antiCovid. Ato janë falas. NHS kurrë nuk do të kërkojë detajet tuaja të bankës dhe vaksinat nuk po dorëzohen në derën tuaj nga njerëzit që nuk janë identifikuar si staf i NHS. “
Paralajmërimi i ministrit erdhi pasi Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) javën e kaluar u kërkoi qytetarëve të jenë vigjilent, duke raportuar se mashtruesit po mashtronin të moshuar duke u marrë para për vaksina false.
“Niveli aktual i mashtrimit të raportuar në lidhje me vaksinën mbetet shumë i ulët, por po rritet,” tha Graeme Biggar, Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Krimit Ekonomik në NCA.
Britania ka shënuar një rritje të numrit e të infektuarve dhe vdekjeve duke e çuar vendin drejt një karantine.