Azilkërkuesit në Serbi refuzohen nga qiradhënësit

Azilkërkuesit e regjistruar në Serbi të cilët kanë leje të kërkojnë vetë për strehim janë refuzuar nga «qindra» pronarë, duke e bërë të vështirë kërkimin e shtëpive të reja, bëri të ditur OJQ-ja Qendra e Përgjigjeve dhe Politikave ndaj Krizave, e cila ndërmjetëson me pronarët dhe azilkërkuesit.

«Bëjmë qindra telefonata dhe mbase katër ose pesë nga njëqind [pronarë] bien dakord që të na tregojnë apartamentin, megjithëse deri kur mbërrijmë te ata disa ndryshojnë mendje», thotë Branislava Pokusevski Kumalakanta, koordinatore e projektit në Qendrën.

Ajo i tha BIRN-it se pronarët përgjigjen negativisht «në 90 për qind të rasteve», sapo marrin vesh se apartamenti është për një shtetas të huaj që kërkon azil.

Swiss Digital Desktop Reklama

Numri i azilkërkuesve të cilët kërkojnë shtëpi nuk është i madh. Serbia po i proceson ngadalë kërkesat për azil, kryesisht për shkak të mungesës së personelit në Zyrën Kombëtare për Azil dhe shumica dërrmuese e aplikimeve refuzohen.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas statistikave të Zyrës Kombëtare për Azil, nga 151 kërkesa në gjashtë muajt e parë të vitit 2017 asnjëra nuk është pranuar, ndërsa 28 personave u është mohuar azili. Në 2016, 105 aplikantë u refuzuan dhe vetëm 19 u pranuan.

Nga numri i vogël i aplikantëve të pranuar, një numër edhe më i vogël aplikon për leje për të kërkuar vetë strehim, për të dalë nga qendrat e azilit.

Sipas UNHCR në Serbi, Zyra Kombëtare për Azil ka lëshuar 15 leje të tilla që nga fillimi i vitit 2017.

«Nëse keni para dhe mund të përballoni qiranë, [Zyra] nuk e ka problem», tha për BIRN-in UNHCR.

UNHCR shpjegoi se adresa i bëhet e njohur autoriteteve që ata gjithmonë mund të kontaktojnë me azilkërkuesit gjatë procedurës për dhënien e azilit.

Pokusevski Kumalakanta thotë se Qendra e Përgjigjeve dhe Politikave ndaj Krizave ka ndihmuar gjashtë ose shtatë individë dhe familje për të gjetur një shtëpi për mbi një vit. Gjetja e një apartamenti mund të zgjasë deri në dy muaj «kërkim intensiv».

«Kemi marrë përgjigje si ‚Nuk e dua këtë për shtëpinë time’. Kur shkuam të shihnim një apartament, [pronari] na tregoi nga dera dhe na nxori jashtë», tha ajo.

Këshilltarja ligjore Ana Stefanoviq, nga e njëjta qendër thotë se qiradhënësit kanë pronën e tyre private ndaj kanë të drejtë të zgjedhin.

«Megjithatë, ligji nuk është shumë i saktë dhe kjo duhet të kontrollohet me Komisionerin për Mbrojtjen e Barazisë», tha Stefanoviq.

Ajo shtoi se Qendra ka parë edhe shembuj pozitivë të pronarëve që ulnin çmimin e qirasë për azilkërkuesit.

«Zakonisht e rrisin çmimin shumë. Në një lagje të Beogradit, një person që e kishte nxjerrë apartamentin me qira për 180 euro, na tha se për ‘ta’ çmimi ishte 300», përfundoi Pokusevski Kumalakanta.BIRN

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?