Babai i Boris Johnson aplikon për pasaportë franceze: Do të jem gjithmonë evropian
Babai i kryeministrit britanik Boris Johnson ka treguar të enjten se është në procesin e aplikimit për një pasaportë franceze. Kjo me qëllimin që t’i mbajë lidhjet e tij me Bashkimin Evropian pas Brexit.
Stanley Johnson, ish-anëtar i Parlamentit Evropian, i cili votoi “për të qëndruar” në referendumin e Britanisë në 2016, i tha radios RTL se ai donte të bëhej qytetar francez për shkak të lidhjeve të forta familjare me Francën.
“Nëse e kuptoj si duhet, unë jam francez. Nëna ime ka lindur në Francë, nëna e saj ishte krejtësisht franceze ashtu si edhe gjyshi i saj. Pra, për mua ka të bëjë me rikuperimin e asaj që kam tashmë. Dhe kjo më bën shumë të lumtur,” tha 80-vjeçari Johnson, i cili po fliste në frëngjisht.
“Unë gjithmonë do të jem një evropian, kjo është e sigurt. Askush nuk mund t’i thotë popullit britanik: ju nuk jeni evropianë. Të kesh një lidhje me Bashkimin Evropian është e rëndësishme,”shtoi ai.
Djali i tij Boris ishte fytyra publike e fushatës “Leave” në referendumin e 2016 dhe thotë se Britania mund të “përparojë fuqishëm” si një komb plotësisht sovran jashtë asaj që ai e sheh si një BE tepër burokratike.