Ballkani duhet ta marrë seriozisht ISIS-­in

Analisti i sigurisë dhe eksperti i Lindjes së Mesme, Janko Scepanoviç thotë se është e vështirë të imagjinohet që ISIS të gjejë mbështetje më të madhe në Ballkan pavarësisht rasteve të izoluara.

Scepanoviç tha për BIRN se grupi terrorist lindi në rrethana ekstreme në kaosin e përçarjes fetare dhe luftrave civile në Irak dhe në Siri – rrethana të cilat nuk ekzistojnë në Ballkan. Në disa muajt e fundit, rajoni i Ballkanit ka qenë në krye të vëmendjes disa herë në lidhje me ISIS, pasi video të islamistëve u publikuan në YouTube ku bëhej thirrje për krijimin e një kalifati islamik në Ballkanin Perëndimor dhe për shkatërrim të demokracisë. Në qershor, një video e publikuar nga ISIS bënte thirrje që gjithnjë e më shumë luftëtarë ballkanik t’i bashkoheshin rangjeve të tyre dhe i nxiste mbështetësit të vrisnin dhe helmonin ata që nuk besonin në vendet e tyre.

Tronditje më e madhe pasoi pas raportimeve se ISIS ka ekzekutuar pengun kroat Tomislav Salopek në Egjipt. Salopek u mor peng në një autostradë në Kajro më 22 korrik. Një video që e shfaq atë duke shprehur kërkesat e grupit militant u publikua më 5 gusht. Një javë më vonë, raportimet sugjerojnë se Salopek mund të ketë vdekur pasi në degën e vet në Egjipt u publikua një foto e trupit të tij pa kokë. “Mënyra më e mirë për të ndaluar këto gjëra është që qeveritë dhe komunitetet vendase të përpiqen të sigurohen që kushdo të integrohet dhe të ndihet si në shtëpi në vendin ku jeton,” tha Scepanoviç. “Parandalimi i margjinalizimit, diskriminimit dhe ndjesisë së refuzimit janë një ilaç i mirë sipas meje,” shtoi ai. “Qeveritë në rajonin tonë bëjnë mirë që e marrin seriozisht çdo kërcënim nga ISIS, edhe kur e dimë se shumica është propagandë që do të trembë njerëzit,” vazhdoi Scepanoviç. Scepanoviç mban një diplomë masteri në Studimet e Lindjes së Mesme nga Universiteti i Nju Jorkut. Ai ka gjithashtu eksperiencë pune dhe raportimi nga takimet e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe është i specializuar mbi çështje si al­Kaeda, Afganistani, Kundër­terrorizmi dhe sanksionet mbi Libinë. I pyetur si u bë ISIS një fenomen global dhe kërcëimi më i madh i sigurisë botërore, Scepanoviç tha se ishte ndihmuar nga rënia e papritur e aparatit të sigurisë së Irakut në 2014, veçanërisht në verën kur luftëtarët e ISIS morën Mosulin dhe pjesët e tjera të vendit. Ai shpjegon se shumica e grupeve terroriste priren të përdorin taktika të ngjashme si sulmet vetëvrasëse, pengmarrjet, bombat në rrugë. ISIS nga ana tjetër, ka befasuar shumë persona sepse ka shkuar edhe më larg. Ai ka një ushtri, ka marrë qytete, ka imponuar taksa dhe ka ngritur flamurin e vet në ndërtesa qeveritare në Irak.

“Le të mos harrojmë brutalitetin e luftëtarëve të ISIS: ekzekutime, kryqëzime, djegie për së gjalli, përdhunime. Kjo i jep famë më të keqe dhe i vë në qëndër të vëmendjes së atyre që i kishin shpërfilluar,” tha ai. Scepanovic thotë se do të jetë një sfidë e madhe për perëndimin dhe koalicionin e shteteve drejtuar nga SHBA për t’u përballur me rrezikun. Ai kujton se në fillim të këtij viti një ish­Komandant Suprem i NATO­s për Europën, Admirali James Stavridis, tha se SHBA duhet të çojë rreth 8000 ose 10000 trupa në terren. Megjithatë analisti mendon se administrata aktuale në Uashington nuk do të shkojë aq larg. “Presidenti Obama, që trashëgoi dy luftëra gjatë mbajtjes së postit në 2009, nuk po kërkon të përfshihet në një tjetër aventurë ushtarake jashtë vendit. Nuk mendoj se njerëzit rreth tij e duan këtë gjë po ashtu,” dha mendimin Scepanoviç. Sipas tij SHBA nuk mund të përdorë të njëjtat taktika si në vitet 2006­2007 dhe se duhet të vazhdojë punën me partnerët rajonalë. Duke iu referuar rolit të medias, Scepanoviç theksoi rëndësinë e saj në luftën kundër ekstremizmit. 

Nga njëra anë, raportimi i keqbërjeve të ISIS përhap shqetësim te publiku, ashtu siç do grupi terrorist, por nga ana tjetër publiku mund t’i ushtrojë presion liderëve që të ndërmarrin veprime për t’i ndaluar ekstremistët, mendon analisti malazez. Sa për Ballkanin perëndimor, Scepanoviç thotë se ndërsa ISIS nuk është kërcënim i madh për rajonin, autoritetet nuk duhet të shpërfillin mesazhet nga grupi ekstremist. “Në përgjithësi, ky është një rajon i vogël dhe nëse shtetet punojnë së bashku, ndajnë informacion dhe monitorojnë lëvizjet e shtetasve të tyre që udhëtojnë në pjesët e trazuara të Lindjes së Mesme, ata do të mund t’i zgjidhin shqetësimet e sigurisë,” përmbylli ai. 

SHKARKO APP