Banka Botërore: Rënia ekonomike mund të vazhdojë për disa kohë në rajon
Banka Botërore ka paraparë që pasojat ekonomike të pandemisë shëndetësore do të zgjatin për një kohë të konsiderueshme në të gjitha vendet e rajonit tonë, dhe në këtë mënyrë, pushimet nga puna do të jenë të pashmangshme, sidomos në sektorët e rëndësishëm që janë prekur nga kjo goditje, si turizmi, tregtia ose transporti.
Megjithatë, BB thekson se duke pasur parasysh natyrën kalimtare të goditjes nga COVID-19, mbajtja e punonjësve në punë do t’ua bëjë më të lehtë firmave të rimëkëmben nga kriza ekonomike pasuese, siç dëshmoi edhe kriza e mëparshme e vitit 2008.Banka Botërore ka publikuar raportin “Ndikimi social-ekonomik i COVID-19, kundërpërgjigjet e mbrojtjes sociale ndaj krizës së Covid-19 në Ballkanin Perëndimor “, ku përshkruan alternativat afatshkurtra dhe afatmesme për mbështetjen ekonomike të familjeve gjatë pandemisë dhe periudhës pasardhëse të rimëkëmbjes ekonomike.
“Pasojat ekonomike të pandemisë shëndetësore do të zgjatin për një kohë të konsiderueshme, kësisoj, është e nevojshme që të caktohet përparësi mes ndërhyrjeve si midis programeve, ashtu edhe në kohë. Edhe pse mund të jetë tunduese të përdoret e gjithë artileria e rëndë fiskale në fillim të pandemisë, është me rëndësi që të ruhet një lloj hapësire fiskale për të mbështetur rimëkëmbjen e gjatë ekonomike. Për mbrojtjen sociale, i duhet dhënë përparësi aftësisë për të financuar një fond të zgjeruar kursimi për varfërinë, që është bastioni i fundit që parandalon familjet e varfra të bien në varfëri të skajshme. Konceptimi dhe legjislacioni i programit të sigurimeve shoqërore mund të ndryshohet gjithashtu për të ruajtur aftësinë e financimit të rritjeve të konsiderueshme të aplikimeve të papunësisë në periudhën afatmesme.
Paralelisht, me heqjen e kufizimeve të punësimit, programet e punësimit që synojnë të mbështetin rikthimin në tregun e punës duhen përmirësuar e zgjeruar po ashtu. Në periudhën afatmesme, do të jetë me rëndësi që të vazhdohet mbështetja për programet kundër varfërisë dhe t’u ofrohet përkrahje të papunëve. Gjithashtu, duhen zgjeruar Programet Aktive të Tregut të Punës, pasi kërkesa për punë do të ketë zhvendosje midis sektorëve dhe shumë punonjësve do t’u duhet të ritrajnohen e të mbështeten për të gjetur punësim të ri.
Është e qartë që duhen bërë kompromise financiare midis programeve dhe në kohë dhe duhen caktuar përparësi për shpenzimet. Do të jetë me rëndësi të përmirësohet veprimi i përqendruar, ndërkohë që garantohet financimi afatgjatë i mbrojtjes sociale, si dhe të kufizohet kohëzgjatja e programeve të subvencionimit të pagave, që janë të kushtueshme. Kriza nuk do të shkaktojë vetëm lëvizje masive në punë dhe jashtë saj, por duke i prekur në mënyrë të ndryshme sektorët, do të çojë edhe në rishpërndarjen e punëve dhe aktiviteteve ekonomike midis sektorëve. Vendet e punës që njerëzit humbën nuk do të jenë domosdoshmërisht të njëjtat që do t’u vihen në dispozicion dhe do të jetë e nevojshme të intensifikohen programet aktive të tregut të punës (PATP) për të ritrajnuar shumë punëkërkues e për t’i ndihmuar të gjejnë punë në sektorët e rinj “, thuhet në raport.