BE dhe AstraZeneca dështojnë në zgjidhjen e ngërçit për furnizimin me vaksina

Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e kompanisë së vaksinave AstraZeneca kanë dështuar në zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje për dërgesat e vaksinës kundër koronavirusit për evropianët.

Komisionerja e BE-së për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, Stella Kyriakides njoftoi në rrjetet sociale se me shefin ekzekutiv të kompanisë AstraZeneca, Pascal Soriot, diskutuan dorëzimin e vaksinës së kompanisë së tij në përputhje me marrëveshjet kontraktuese të parashikuara në ‘Marrëveshjen e Blerjes me Paradhënie’.

Kyriakides njoftoi se në takimin e mbajtur në Bordin drejtues të vaksinave të BE-së me shefin e kompanisë AstraZeneca kanë pasur një diskutime konstruktive.

“Ne shprehim keqardhje për mungesën e qartësisë së vazhdueshme në orarin e dorëzimit dhe kërkojmë një plan të qartë nga AstraZeneca për shpërndarjen e shpejtë të vaksinave që kemi rezervuar për tremujorin e parë. Ne do të punojmë me kompaninë për të arritur zgjidhje dhe për të shpërndarë vaksina me shpejtësi për qytetarët e BE-së“, shkroi Kyriakides në Twitter.

Mosmarrëveshja lindi pasi AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat së bashku zhvilluan vaksinën, javën e kaluar deklaruan se ata nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë dërgesa të vaksinës aq sa pritej në Evropë, pasi presin miratimin e Agjencisë Evropiane të Barnave deri në fund të muajit.

BE ka arritur marrëveshje për blerjen e vaksinave edhe me kompanitë Moderna, Covax, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline.

“Ne mohojmë logjikën ‘ai që vjen i pari shpërblehet’. Kjo mund të funksionojë tek kasapët e lagjes, por jo në kontrata dhe jo në “Marrëveshjet e Blerjes me Paradhënie“, shtoi Kyriakides pas takimit.

Ajo po ashtu përsëriti se AstraZeneca duhet të përmbushë zotimet e saj të marrëveshjes.

SHKARKO APP