BE, evitohen sanksionet ndaj Lukashenkos

Një votë e Qipros e ka bërë të pamundur kompromisin mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për të aplikuar sanksione ndaj Bjellorusisë dhe presidentit Aleksandër Lukashenko.

Pavarësisht vullnetit të qartë shumicës dhe kërkesës së opozitës bjelloruse për sanksione ndaj regjimit të vendit, kryediplomati i BE-së, Xhuzeb Borel, njoftoi se nuk u arrit unanimiteti i kërkuar.

“Na duhet unanimiteti dhe na mungon një vend, Qiproja. Qiproja nuk i kundërshton masat kundër Bjellorusisë, por nuk do ta japë votën pa u sanksionuar njëherësh edhe Turqia për situatën që ka krijuar në Mesdheun Lindor. Në mbledhjen e ardhshme do bëj ç’të mundem që të miratohen sanksionet ndaj Lukashenkos. Tashmë është kthyer edhe në një zotim personal.”

Bjellorusia është përfshirë nga protestat masive që kur 66-vjeçari Lukashenko shpalli fitoren e 6-të radhazi në zgjedhjet e 9 gushtit, ndërsa kundërshtarët e tij thonë se procesi u manipulua.

“Ju kërkoj të mos e financoni regjimin diktatorial dhe ta rimendoni partneritetin me organizatat shtetërore të afërta me Lukashenkon. Duhet të punojmë së bashku për zgjedhje të reja të lira, të drejta dhe transparente,” u deklaroi ligjvënësve në BE kryeopozitarja Svetlana Tikanovskaja.

Falsifikimin e zgjedhjeve e pranoi të hënën edhe zyrtari i lartë europian, Borel, ndërsa Parlamenti Europian javën e kaluar aprovoi rezolutë për të mos e njohur më Lukashenkon si kryeshtetar me skadimin e mandatit aktual presidencial në fillimin e nëntorit.

Rusia, ndërkaq, vazhdon të jetë aleatja e ngushtë e Bjellorusisë.

Për të treguar koordinimin në mbrojtjen e integritetit të tyre territorial, forcat ushtarake ruse dhe bjelloruse u stërvitën një ditë më parë bashkërisht afër kufirit me Poloninë, shteti fqinj që presidenti Lukashenko thotë se po nxit trazirat disajavore në vend.

Manovrat e quajtura “Vëllazëria sllave” përfshinë rreth 900 trupa paraushtarake dhe 100 mjete amfibe e ajrore të armatosura rëndë, dhe pritet të zgjatin deri ditën e premte.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se stërvitjet nuk i drejtohen shteteve të tjera por kanë për qëllim përgatitjen kundër terrorizmit dhe sigurinë e shtetit.

SHKARKO APP