BE-ja bën thirrje për hetim të parregullsive në votimet në Rusi

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Rusisë që të hetojë raportimet për parregullsi në plebishitin jodetyrues, në të cilin janë miratuar ndryshimet kushtetuese, disa prej të cilave i hapin rrugën presidentit rus, Vladimir Putin për të mbetur në pushtet deri më 2036.

Kremlini ka përshëndetur të enjten fitoren bindëse, pasi rezultatet kanë treguar që pothuajse 78 për qind e votuesve kanë përkrahur më shumë se 200 ndryshime kushtetuese.

Prandaj rezultati është konsideruar si “referendum triumfues ndaj besimit të presidentit Vladimir Putin”.

Mirëpo parregullsitë në disa qendra votimi dhe frikësimi i aktivistëve dhe gazetarëve që kanë synuar të monitorojnë votimin, ka nxitur reagimin e bllokut evropian me 27 anëtarë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për raportimet dhe pretendimet për parregullsi përgjatë votimit, duke përfshirë votimet nga dy herë, shkeljen e sekretit të votës dhe dhunën e policisë kundër një gazetari që ka qenë duke vëzhguar situatën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Ne presim që këto raporte të hetohen siç duhet sepse këto janë supozime serioze”, ka shtuar ai.

Kremlini ka thënë se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për stabilitetin dhe sigurinë e shtetit, derisa kritikët e Putinit kanë thënë se ato janë tentime të Putinit, 67-vjeçar për të mbetur në fuqi.

Votuesve u është dhënë mundësia e pranimit apo kundërshtimit të të gjithë pakos me ndryshime.

Putin ka shpallur 1 korrikun, ditën e fundit të votimit, si ditë pushimi, me qëllim të nxitjes së personave për të votuar.

Ai ka propozuar ndryshimet kushtetuese më herët gjatë këtij viti dhe ka insistuar në mbajtjen e referendumit, pavarësisht se një gjë e tillë nuk kërkohet me ligj.

Ndryshimi final i këtyre ndryshimeve mundësohet nëse më shumë se gjysma e votuesve mbështesin propozimet.

Nëse miratohen, Putin, ish-zyrtari i KGB-së, 67-vjeçar, mund të garojë edhe për dy mandate tjera si president, pasi t’i përfundojë mandati aktual më 2024. Putin ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër nga viti 2000.

SHKARKO APP