BE-ja bllokon linjën e Bjellorusisë: Nuk do tolerojmë askënd të luajë ruletë ruse me qytetarë të pafajshëm
Ashtu siç ishte paralajmëruar, liderët e 27 shteteve të BE-së vendosën të hënën të izolojnë Bjellorusinë duke prerë lidhjet me kompanitë e saj ajrore. Krerët e unionit thanë se devijimi i një avioni në fundjavë dhe arrestimi i një gazetari kritik me pushtetin, ishin sjellje të papranueshme.
Bashkimi Europian u ka ndaluar kompanive ajrore bjelloruse që të fluturojnë në hapësirën e vet dhe po vlerëson sanksionet kundër Bjellorusisë.
Gjatë një takimi në Bruksel, liderët e 27 vendeve u kërkuan kompanive europiane po ashtu të shmangin hapësirën ajrore bjelloruse, nisur nga incidenti i së dielës kur një avion që kishte për destinacion Lituaninë, devijoi rrugën dhe zbriti në Minsk me dyshimin e një bombe.
Ndërkohë, BE-ja unanimisht kërkoi lirimin e gazetarit, Roman Protaseviç, i cili ishte brenda avionit dhe mendohet se ishte shkaku i devijimit.
“Nuk do tolerojmë askënd të luajë ruletën ruse me qytetarë të pafajshëm. Ka ndodhur diçka e papranueshme.”
“Kjo sjellje skandaloze ka nevojë për një përgjigje të fortë. Prandaj Këshilli Europian vendosi se do të ketë sanksione të tjera, mbi individët që patën rol në devijimin e mjetit. Këtë herë pjesë do të jenë edhe bizneset dhe entet ekonomike të cilat po e financojnë regjimin.”
Gazetari 26-vjeçar u shfaq të hënën duke thënë se i pranonte veprat për të cilat e akuzojnë autoritetet vendëse, për terrorizëm dhe organizim protestash të dhunshme kundër presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
Protaseviçi u arrestua të dielën në aeroport.
“…Tani ndodhem në paraburgim në Minsk. Mund të them se nuk kam probleme shëndetësore, në zemër apo organe të tjera. Stafi është sjellë korrekt me mua dhe në përputhje me ligjin.”
Bjellorusia dhe aleatja e saj, Rusia, këmbëngulin se vendimi për të ulur me detyrim avionin e linjës Athinë-Lituani ishte i ligjshëm, dhe se Perëndimi po ngre akuza të pabaza politike.
Disa linja të njohura gjermane e skandinave kanë nisur të devijojnë fluturimet mbi hapësirën ajrore bjelloruse, ndërsa Ukraina tha se i ka ndalur fluturimet direkte drejt Bjellorusisë.