BE lë jashtë edhe amerikanët, kufiri mund të mbetet i mbyllur pas 1 korrikut

Numri i lartë i të infektuarve të rinj me koronavirus në ShBA mund t’i lërë jashtë BE-së edhe amerikanët. Vendet anëtare të bllokut po diskutojnë hartimin e disa kritereve dhe javës tjetër do të këtë një vendim se për cilat shtete do të hapet kufiri i jashtëm pas 1 korrikut.

Përveç qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, edhe ata të ShBA-së mund të ndalohen të hyjnë në Bashkimin Europian pas 1 korrikut. Shkak për këtë vendim të mundshëm të bllokut është situata me koronavirusin, për të cilin ekspertët thonë se ka dalë jashtë kontrollit përtej Atlantikut.

Lajmi u publikua fillimisht nga gazeta New York Times, që raportoi nga Brukseli se ka parë një projekt dokument me listën e vendeve, qytetarët e të cilëve do të lejohen të hyjnë në BE pas 1 korrikut.

ShBA-ja, që ka numrin më të lartë të infektimeve nga koronavirusi dhe po njeh rritje të infektimeve të reja ditët e fundit, do të renditet në të njëjtën kategori me Brazilin dhe Rusinë, shton gazeta. Në të njëjtën kohë do të pranohen udhëtarë nga Kina dhe Vietnami.

Një diplomat i Bashkimit Europian tha se Komisioni ka propozuar tre kritere për të lejuar pasagjerët e vendeve të treta, përfshirë dhe gjendjen epidemiologjike, por vendet anëtare do të kenë fjalën e fundit në çdo rast.

“Nuk ka listë vendesh, por një listë kriteresh,” i tha një tjetër diplomat agjencisë Reuters. Sipas këtij diplomati, kriter bazë do të jetë norma e infektimit për 100 mijë banorë, por ende nuk është përcaktuar një prag. Nga ana tjetër, pragu do të duhet të përfshijë edhe faktorë të tjerë, si për shembull kapacitetin e vendeve për të testuar të dyshuarit e infektuar me COVID-19.

Më herët këtë muaj, Komisioni Europian u rekomandoi vendeve anëtare që t’i rihapin gradualisht kufijtë e jashtëm duke filluar nga 1 korriku.

Nuk ka garanci për një vendim të përbashkët të bllokut për të ndaluar qytetarët e ShBA-së, por nëse një gjë e tillë do të realizohet, do të shënonte një humbje të madhe për presidentin Doland Trump dhe do të vinte në dyshim deklaratat e tij se përhapja e virusit është vënë nën kontroll.

SHKARKO APP