BE presion AstraZeneca-s: Të përmbushë premtimet, ose do të gjejmë vaksina diku tjetër
Prodhuesi i vaksinave kundër Covid-19, AstraZeneca duhet t’i përmbushë premtimet për furnizimin e Bashkimit Europian, përpara se të dërgojë doza gjetkë, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u tha gazetarëve se ky është fundi i naivitetit të BE-së. ”Ne duhet t’i bllokojmë të gjitha eksportet për aq kohë sa disa kompani të barnave nuk i respektojnë zotimet e tyre ndaj evropianëve”.
Kurse kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se BE-ja jo vetëm që furnizon veten, por eksporton edhe në botë për dallim nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Shpërndarja e vaksinave në shtetet e Bashkimit Evropian është duke u bërë ngadalë dhe blloku ka fajësuar kompanitë farmaceutike, kryesisht AstraZeneca, për mos dërgimin e dozave të premtuara.
Deri më tani, në BE janë dhënë rreth 62 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit. Veç 18.2 milionë njerëz, apo 4.1 për qind e popullsisë së BE-së prej 450 milionësh janë vaksinuar plotësisht me nga dy doza. BE-ja gjithashtu u bëri thirrje prodhuesve të vaksinave që t’i parashikojnë prodhimet e tyre dhe “t’i respektojnë afatet kontraktuale të dorëzimit”.