BE presion Bjellorusisë, kurse Rusia thotë: Mos ndërhyni
Liderët e BE-së shprehën mbështetjen për protestuesit në Bjellorusi. Ata theksuan shqetësimin për zgjedhjet e diskutueshme presidenciale dhe shtuan trysninë ndaj zyrtarëve të lidhur me shtypjen e manifestimeve në vend. “Mesazhi ynë është i qartë. Dhuna duhet të ndalet dhe duhet të nisin menjëherë bisedimet paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Lidershipi i Bjellorusisë duhet të reflektojë mbi vullnetin e popullit”, u shpreh Charles Michel.
Opozitarja Sviatlana Tsikhanouskaya e cila sfidoi Aleksandër Lukashenkon në zgjedhje, u kërkoi krerëve të unionit të mos i njohin rezultatet e atyre që i quajti zgjedhje të manipuluara dhe të respektojnë vendimin e popullit të Bjellorusisë. Ajo kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja nën supervizimin e ndërkombëtarëve. Tsikhanouskaya foli nga Lituania fqinje, ku u largua pas shpërthimit të trazirave më vend. Protesta masive po zhvillohen prej disaditësh kundër presidentit Lukashenko, por ky i fundit refuzon të japë dorëheqjen dhe akuzon fuqi të huaja për situatën në vend.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është ofruar të ndihmojë ushtarakisht Bjellorusinë nëse do të jetë e nevojshme dhe gjatë një bisede telefonike me Merkel dhe Macron, i paralajmëroi ata të mos përzihen në punët e Minskut, aleat i ngushtë i Moskës.