BE shton 28 zyrtarë bjellorusë në listë të zezë

Bashkimi Evropian ka shtuar të hënën 28 zyrtarë dhe “propagandistë” të Bjellorusisë në listë të zezë, të lidhur me shtypjen që u bën kundërshtarëve, lideri autoritar, Alexander Lukashenka. Blloku me 27 vende anëtare ka sanksionuar disa herë Qeverinë bjelloruse, prej kur autoritetet kanë nisur të shtypin protestat kundër regjimit të Lukashenkas më 2020.

BE-ja ka shtuar sanksionet ndaj Bjellorusisë edhe për shkak të rolit të këtij shteti në nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë. Me vendimin e fundit, numri i individëve bjellorusë në listën e zezë të BE-së ka shkuar në 261.

Në atë listë veçse janë Lukashenka dhe familjarë të tij. Në mesin e individëve të sanksionuar të enjten janë Irina Akulovich, shefe e agjencisë kombëtare të lajmeve, BelTA, dhe prezantuesi televiziv, Nikita Rachilovsky. “Këta propagandistë të regjimit kanë përhapur me qëllim informacion të rremë për shtypjen e kryer prej autoriteteve shtetërore”, ka thënë BE-ja përmes një deklarate.

Lukashenka, aleati më i ngushtë i Rusisë, pati nisur shtypje të protestave në gusht të vitit 2020, pasi pretendimi i tij për fitore në zgjedhje pati nxitur protesta masive. Grupi për të të drejta të njeriut Viasna, vlerëson që Bjellorusia ka më shumë se 1.400 të burgosur politikë, dhe që mijëra persona tjerë kanë ikur prej shtetit. /REL/

SHKARKO APP