BE: Vendimi për Turqinë në dhjetor
Operacionet e Turqisë për kërkimin e gazit dhe naftës në Mesdheun Lindor vazhdojnë të shihen si provokim nga Bashkimi Europian.
Shefi i Këshillit Europian, Sharl Mishel, kujtoi se vendet anëtare i kanë lënë Ankarasë kohë deri në muajin dhjetor për të ndrequr raportet me vendet e rajonit ose do përballet me pasojat.
“Me 27 vendet konkluduam për dy rrugëzgjidhje, një pozitive dhe një më pak pozitive. Turqia deri tani nuk e ka zgjedhur të parën. Veprimet e saj të njëanshme në Mesdheun Lindor dhe provokimet e retorikën ne i dënojmë dhe i konsiderojmë plotësisht të papranueshme.”
Turqia ka shpërndarë anijen eksploruese “Oruç Reis” dhe platformën tjetër “Javuz” për nxjerrjen e hidrokarbureve në ujërat mesdhetarë afër Greqisë dhe Qipros.
Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore njoftoi këtë javë se vendi do intensifikojë aktivitetet në rajon madje synon të blejë apo marrë me qira anije të tjera për të vazhduar punën.
Nga 8 puset që vendi ka hapur deri tani në Mesdheun Lindor, ministri bëri të ditur se nuk është mundur të zbulohen ende burime të vazhdueshme gazi dhe nafte.
Në një nga fushat gazmbajtëse të Detit të Zi, studiuesit turq gjetën së fundmi mbi 400 miliardë metër kub gaz natyror, sasi që Ankaraja shpreson se do e bëjë atë më të pavarur ekonomikisht dhe do i japë mundësinë të negociojë për çmime më të ulëta të importeve energjetike nga Rusia, Irani apo Azerbajxhani.