Bernie Sanders: Një qeveri duhet të punojë për të gjithë, jo për 1 % të pasur. Ja si Biden mund ta shpëtojë SHBA
Nga Bernie Sanders –
Një rekord prej 4,000 amerikanësh po vdesin çdo ditë nga Covid-19, ndërsa qeveria federale po shkatërron prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, testimin dhe gjurmimin. Në mes të pandemisë më të keqe në 100 vjet, më shumë se 90 milion amerikanë janë të pasiguruar dhe nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku kur sëmuren.
Mbi gjysma e punëtorëve amerikanë i frikësohen ‘fundit të muajit’, duke përfshirë miliona punëtorë thelbësorë që vendosin jetën e tyre çdo ditë në rrezik. Për shkak të mungesës së të ardhurave, deri në 40 milion amerikanë përballen me kërcënimin e kredisë dhe dëbimit nga shtëpia e tyre. Ndërsa 500,000 janë tashmë të pastrehë.
Ndërkohë, njerëzit më të pasur në këtë vend po bëhen edhe më të pasur. Pabarazia në të ardhura po rritet. Në mënyrë të pabesueshme, gjatë pandemisë, 650 miliarderë në Amerikë kanë rritur pasurinë e tyre me më shumë se 1 trilion dollarë.
Dhe, në mes të gjithë kësaj, themelet e demokracisë amerikane janë nën një sulm të paparë. Trump po punon me pasion për të minuar demokracinë amerikane dhe për të nxitur dhunë kundër vetë qeverisë dhe kushtetutës që ai u betua për të mbrojtur.
Në këtë moment krizash të papara, Kongresi dhe administrata e Biden duhet të përgjigjen përmes politikave të pashembullta. Nuk mund të ketë më ‘business as usual’. Këto probleme të vjetra, munden të zgjidhen vetëm me politika të reja. E vjetra duhet të pushojë së ekzistuari!
Demokratët, të cilët tani do të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë, Senatin dhe Kongresin, duhet të thërrasin guximin për t’i demonstruar popullit amerikan se qeveria mund t’i përgjigjet në mënyrë efektive dhimbjes dhe ankthit të tyre.
Çfarë do të thotë kjo për një amerikan të zakonshëm?
Kjo do të thotë që ne duhet të shtypim në mënyrë agresive pandeminë dhe mundësojmë që populli amerikan të kthehet në vendet e tij të punës dhe në shkolla. Kjo do të kërkojë një program emergjent të udhëhequr në mënyrë federale për të prodhuar sasinë e vaksinave që na duhen dhe për t’i shpërndarë ato tek njerëzit sa më shpejt të jetë e mundur.
Kjo do të thotë që gjatë rënies së rëndë ekonomike që po përjetojmë, duhet të sigurohemi që të gjithë amerikanët të kenë burimet financiare që u duhen për të jetuar me dinjitet. Ne duhet të rrisim pagesën direkte prej 600 dollarësh në 2,000 dollarë, të rrisim pagën minimale në 15 dollarë në orë, të zgjerojmë përfitimet e papunësisë dhe të parandalojmë dëbimin, strehimin dhe urinë.
Kjo do të thotë që, gjatë kësaj pandemie të furishme, ne duhet të garantojmë kujdes shëndetësor për të gjithë. Ne gjithashtu duhet t’i japim fund turpit ndërkombëtar që Shtetet e Bashkuara të jenë vendi i vetëm i madh në Tokë që nuk siguron leje familjare dhe mjekësore me pagesë për punëtorët.
Por kjo nuk mjafton. Këtë vit duhet të kalojmë edhe një projekt-ligj të dytë që merret me ndryshimet e mëdha strukturore për të cilat vendi ynë ka nevojë. Fundja, duhet të përballemi me nivelin grotesk të pabarazisë së të ardhurave dhe të krijojmë një vend që punon për të gjithë dhe jo vetëm për 1% -shin.
Kjo do të thotë se duhet të përdorim një projekt-ligj të dytë për të krijuar miliona punë me pagesë të mirë duke rindërtuar infrastrukturën tonë të shkatërruar, duke modernizuar shkollat tona, duke luftuar ndryshimin klimaterik dhe duke investuar masivisht tek energjia e rinovueshme.
Kjo gjithashtu do të thotë se amerikanët më të pasur dhe korporatat më fitimprurëse duhet të paguajnë pjesën e tyre të taksave. Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë korporata si Amazon të bëjnë miliarda dollarë taksa dhe të mos paguajnë asgjë në shtet. Miliarderët nuk mund të lejohen të paguajnë më pak taksa sesa amerikanët e klasës punëtore. Ne kemi nevojë për një reformë të vërtetë taksash!
Nuk ka asnjë arsye që Joe Biden të mos nënshkruajë në ligj këto dy projektligje kryesore që do të përmbushin shumicën e qëllimeve që rendita më lart brenda 100 ditëve të para të administratës së tij. Ne nuk mund ta lejojmë Mitch McConnell dhe udhëheqjen republikane të sabotojnë legjislacionin që do të përmirësonte jetën e miliona amerikanëve që punojnë dhe mezi fitojnë.
Mos ta harrojmë kurrë: Kur republikanët kontrolluan Senatin, ata e përdorën atë për të kaluar triliona dollarë lehtësime tatimore te korporatat e 1% -shit. Më tej, ata konfirmuan tre të djathtë si gjyqtarë të Gjykatës Supreme për një periudhë shumë të shkurtër kohore me një shumicë të thjeshtë votash.
Nëse republikanët mundën ta përdorin Senatin për të mbrojtur të pasurit dhe të fuqishmit, ne mund ta përdorim atë për të mbrojtur familjet që punojnë, të sëmurët, të moshuarit dhe të varfrit.(scan, The Guardian)
*Senator i Vermont në SHBA