Biden i ashpër dhe Kinën dhe Iranin

Joe Biden ngrin Iranin. Nëse dëshiron heqjen e sanksioneve amerikane, Teherani duhet fillimisht të ndalojë pasurimin e uraniumit. Biden është i qartë kur gazetarja e pyet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të heqin sanksionet në mënyrë që Irani të rikthehet në tryezën e negociatave për marrëveshjen mbi programin bërthamor. Presidenti amerikan këmbëngul se nuk do të jetë Uashingtoni ai që do të bëjë hapin e parë.

Por lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Hosseini Khamenei mban një qëndrim të kundërt duke thënë se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Irani të respektojë detyrimet në kuadër të marrëveshjes për programin bërthamor, atëherë duhet të hiqen sanksionet. Vetëm më pas do të ketë ndryshime .

Çdo gjë nisi kur Donald Trump në vitin 2018 u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshje e arritur në Teheran në vitin 2015. Si kundërpërgjigje Teherani gradualisht nisi të shkelte impenjimet që vinin si pasojë e marrëveshjes. Biden premtoi të rikthehet në marrëveshje por thekson se duhet fillimisht që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit. Këtë muaj Irani kërcënoi se do të dëbonte nga vendi ekipin për inspektimet bërthamore; si dhe ka nisur pasurimin e uraniumit më pranë niveleve për prodhimin e armëve si dhe ka shtuar stërvitjet ushtarake.

Për sa i përket Kinës, Biden paralajmëroi se vendi duhet të presë një konkurrencë ekstreme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai akuzoi Xi Jinping se nuk ka fare demokraci. Kreu i shtëpisë së bardhe u shpreh se nuk ka nevojë të ketë konflikt mes dy vendeve, por do të ketë një garë të fortë dhe se ai nuk do të menaxhojë marrëdhëniet si Trump por do të përqendrohet në rregullat ndërkombëtare.

Në momentin e mbërritjes së Biden në Shtëpinë e Bardhë, Pekinin mirëpriti vendimin për të qëndruar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë si dhe rikthimin në marrëveshjen e Parisit për klimën. Por është e pamundur që administrata e re amerikane të ndryshojë qëndrim në mënyrë domethënës për çështje si tregtia, Tajvani, të drejtat e njeriut dhe deti kinez. Biden dhe Xi Jinping ende nuk kanë biseduar në telefon. Biden e cilësoi homologun e tij kinez si shumë inteligjent dhe të ashpër. Ai shtoi se e njeh më mirë se liderët e tjerë pasi ka kaluar shumë kohë duke biseduar me ‘të kur ishte zëvendës president.

Në telefonatat e tij ndërkombëtare Biden nisi me aleatët si Kanada, Meksikë, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Gjermani, Japoni, Kore e Jugut, Australi si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Por ai ka biseduar dhe me presidentin rus Vladimir Putin.

SHKARKO APP