Biden në Europë për samitin e G7, Britania e madhe ndalesa e parë
Presidenti amerikan Joe Biden do të mbërrijë në Britaninë e Madhe në orët e vona të së mërkurës.
Kryeministri Boris Johnson do të jetë atje për ta pritur. Do të zhvillojnë bisedime bilaterale të enjten dhe të premten do të takohen me udhëheqës të tjerë të G7-s, me të cilët do të ulen në një tryezë. Në samitin e parë të G7 që mbahet në prani fizike do të ndiqen protokolle strikte kundër Covid.
Masa të shtuara sigurie do të ketë rreth zonës, me mobilizimin e mijëra policëve. Pikat më të rëndësishme në axhendë do të jenë përballja me pandeminë dhe impaktin ekonomik të saj.
Më e rëndësishmja është se kryeministri Boris Johnson që organizon eventin, do të vendosë objektivin për vaksinimin e të gjithë popullsisë globale deri në fund të 2022.
Këto shtete të pasura, ekonomitë më të zhvilluara në botë do të angazhohen për të ndihmuar më të varfërit në këtë aspekt. Ky samit do të jetë një mundësi reale për këta udhëheqës të ulen ballë për balle dhe të bëjnë atë që pëlqejnë të bëjnë; pra të diskutojnë së bashku çështjet globale dhe për ta bërë botën një vend më të sigurt.