Bjellorusi, lirohen 6 mijë protestues që denonconin manipulimin e zgjedhjeve

Lidershipi bjellorus ka kërkuar ndjesë si rrallëherë për shoqërimin e mbi 6 mijë personave dhe teprimin me dhunën në protestat antiqeveritare kundër kreut të shtetit, Lukashenko. Shumica prej tyre janë liruar tashmë por me shenja të dukshme të keqtrajtimit fizik nga forcat e rendit.

Mijëra të arrestuar në vazhdën e protestave kundër presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, nisën në orët e para të së premtes të lirohen nga qelitë e paraburgimit.

Disa nga të rinjtë dëshmuan për kushtet që u desh të kalonin me orë të tëra në institucionin e dënimit.

“Policia i ka ndaluar e rrahur të gjithë, vajza, djem, fëmijë 14, 13 vjeç, madje edhe një të moshuar 70 vjeç që ishte me ne. Qelitë ishin projektuar për 5 veta. Në fillim na futën 25, dhe pastaj na hiqnin e na shtonin me nga 5 të tjerë. Gjatë natës dëgjonim britmat e personave që po rriheshin.”

“Kur na futën në furgonë na detyruan të këndonim himnin kombëtar. Kush gabonte, goditej. Nuk e mendoja kurrë se pas asaj fasade qetësie, në vendin tonë ekzistoka një paligjshmëri të tillë.”

“Më shtynë brenda furgonit dhe më thanë ose do vish me ne për 15 ditë, ose do të copëtojmë nga këmbët dhe do të lëmë të ikësh. Duke qenë se jam këtu, kuptohet se cilën alternativë zgjodha. Më kanë goditur vetëm nga këmbët.”

Protestat kundër presidentit të Bjellorusisë, Lukashenko, nisën të dielën mbrëma kur ai u zgjodh për një mandat të gjashtë në krye të shtetit që drejton prej 26-vitesh.

Opozita politike dhe demonstruesit denoncuan manipulimin e zgjedhjeve dhe zgjodhën demonstratat në rrugë por rebelimi u tentua të zmbrapsej me aksionin e forcave të policisë.

2 persona që ndërruan jetë gjatë protestave u nderuan të premten nga qytetarë dhe personalitetet e vendit, mes tyre ambasadori i BE-së në Bjellorusi, që dënoi reagimin e pushtetit.

65-vjeçari Lukashenko një ditë më parë tha se vala e protestave kundër tij po nxitet nga persona me të shkuar kriminale dhe të papunë, ndaj u sugjeroi të gjejnë një profesion dhe të mos rrezikojnë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit.

Sipas Bashkimit Europian, situata ne Bjellorusi mbetet shqetësuese dhe autoritetet duhet t’u përgjigjen thirrjeve të qytetarëve për demokraci me ndryshime urgjente politike.

SHKARKO APP