Bjellorusi, protestuesit mblidhen para rezidencës së Lukashenkos
Dhjetëra mijëra bjellorusë duke thirrur “Gëzuar ditëlindjen o mi” dhe me flamuj kuq e bardhë në duar, u mblodhën të dielën afër rezidencës së Presidentit Aleksandër Lukashenko, ndërsa protestuesit vazhdojnë trysninë që ai të japë dorëheqjen. Lukashenko, i cili mbushi 66 vjeç të dielën, po përpiqet të frenojë protestat, të cilat vazhdojnë që nga zgjedhjet e 9 gushtit dhe për të cilat kundërshtarët e tij thonë se ishin të manipuluara.
Ai mohon se ka patur mashtrim elektoral dhe thotë se protestat janë mbështetur nga jashtë. Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një telefonate për t’i uruar ditëlindjen, e ftoi Lukashenkon të vizitojë Moskën, një shenjë e gatishmërisë së Kremlinit për ta mbështetur atë, ndërsa ai përballet me trazirat dhe kërcënimin e sanksioneve të reja perëndimore. “U ra dakord të zhvillohet një takim në Moskë në javët e ardhshme”,- tha Kremlini në një deklaratë, pas telefonatës së dy udhëheqësve të dielën.
Protestuesit marshuan nëpër qendër të Minskut, duke mbajtur balona, lule dhe flamuj. Bjellorusia kishte një flamur në ngjyrat bardhë – kuq – bardhë për një periudhë të shkurtër në fillim të viteve 1990 dhe ai është bërë tani simbol i protestave antiqeveritare. Makinat që kalonin u binin borive në shenjë solidariteti. Disa vajza u shtrinë në tokë në shenjë proteste ndaj një kordoni sigurie të policisë me helmeta.
Protestuesit më pas u grumbulluan në rezidencën e Lukashenkos, e cila ruhej nga forcat e sigurimit që mbanin mburoja, pompa uji dhe furgonë për transportimin e të arrestuarve. Një kolonë automjetesh të blinduara ushtarake ishte parë duke lëvizur drejt qendrës së qytetit, sipas agjencisë së lajmeve Interfax të Rusisë.
Policia bëri ndalime sporadike gjatë gjithë ditës, duke i futur njerëzit me forcë nëpër furgona. Të paktën 125 persona u arrestuan, sipas agjensisë ruse të lajmeve RIA, që citonte ministrinë e Brendshme. Disa protestues u panë t’i rezistonin arrestimit nga ana e personave që duket të ishin policë me veshje civile. /VOA/