Bjellorusia, nobelistja i kërkon Lukashenkos largimin nga pushteti
Gazetarja e njohur dhe fituesja e çmimit Nobel për Letërsinë, Svjetlana Aleksieviç i kërkoi presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko që të largohej nga pushteti përpara se të çonte drejt humnerës qytetarët e vendit të tij.
”Tërhiquni përpara se të hidhni njerëzit në humnerën e tmerrshme të luftës civile”, deklaroi Aleksieviç në radion ”Liberty”.
”Largohuni para se të jetë vonë!”, theksoi ajo.
Lukashenko fitoi zgjedhjet presidenciale të së dielës së kaluar, ndërkohë që është kritikuar ashpër nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar për mënyrën e zhvillimit të procesit të votimit dhe numërimit.
Svjetlana Aleksandrovna Aleksieviç është një gazetare investigative, eseiste dhe historiane me origjinë nga Bjellorusia, e cila shkruan në rusisht.
Në vitin 2015 asaj iu dha çmimi Nobel për Letërsinë.