Bolivi, lutje diellit për kovidin, fiset Ajamara ngrenë duart nga qielli për perëndinë e tyre, Diellin
Për fiset dhe popullsinë e varfër të Bolivisë, rrezet e Diellit shihen si shpresë kundër infeksionit të kovidit. Sëmundja në vend sa vjen e përhapet dhe sistemi shtetëror ka pak kapacitete për t’u përgjigjur.
Popullsia indigjene e Bolivisë ka kërkuar ndihmën e Diellit për të shuar infeksionin e kovidit që po pushton vendin dhe mbarë botën.
Me duart ngritur lart drejt perëndisë së tyre, duke mbajtur maskat e duke respektuar distancat, fiset Ajamara në shtetin latinoamerikan dolën në natyrë, nën temperaturat e ulëta të agimit, për t’u ngrohur nga rrezet e para të diellit.
E diela në vend shënoi solsticin veror apo ditën më të gjatë të vitit, dhe sipas besimit të tyre, kjo është edhe dita kur ata historikisht kërkojnë bekimin e Diellit për të mbjellat e tyre.
Por për bolivianët, shqetësim kryesor për momentin mbetet lufta me pandeminë.
“Diell hyjnor, kërkojmë ta na e heqësh këtë koronavirus nga bota, nga tokat dhe jetët tona. Perëndi, kërkojmë shëndet, paqe dhe harmoni në botë. Rroftë jeta. Me këtë ceremoni për hyjninë tonë, Diellin, dhe me rrezet e tij të larta ne shkatërruam koronavirusin. Në të njëjtën kohë kërkuam shëndet për popullin e La Pazit dhe tërë botës.”
Bolivia është një nga vendet më të varfra të Amerikës Jugore, i cili aplikon rregulla strikte të karantinës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ndërsa numri i të infektuarve ka arritur në 25 mijë dhe mbi 770 persona kanë vdekur, doktorët bolivianë në vijën e parë të luftës me kovidin prej javësh protestojnë kundër qeverisë prej mungesës së mjeteve mbrojtëse që po rrezikon jetën e tyre.
Nga frika e infeksionit, edhe të dënuarit në burgje u rebeluan javën e kaluar duke i vënë zjarrin ambienteve me kërkesa për staf mjekësor dhe kujdes të shtuar shëndetësor.
Bolivia të shtunën raportoi një mijë raste të reja në ditë dhe pritet të gjashtëfishojë totalin e infeksioneve aktuale deri në muajin shtator, megjithëse po atë muaj presidenti i vendit ka shpallur datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.